Në Norvegji nis prodhimi i energjisë duke reduktuar emetimet e gazrave

Në Norvegji ka nisur të prodhojë energji ai që do të jetë parku eolik lundrues më i madh në botë. Quhet ‘Hywind Tampen’ dhe është vendosur në Detin e Veriut 140 kilometra lrag bregut norvegjez. Që nga vjeshta e kaluar ka hyrë në funksion turbina e parë, projekti përfundimtar parashikon 11 të tilla. Një impiant prej 88 megavatësh që në regjim të plotë do të jetë në gjendje të prodhojë 35% të energjisë që duhet për të ushqyer platformat e nxjerrjes së gazit dhe naftës në Detin e Veriut.

Energji e rinovueshme për të favorizuar nxjerrjen e lëndëve djegëse fosile. Tingëllon si një kontradiktë por nuk është e tillë. Në fakt, Hywind Tampen do të kontribuojë në reduktimin e 200 mijë ton dioksid karboni në vit.

Për ndërtimin dhe transportin e materialeve u përdorën makineri të përmasave shumë të mëdha. Vetëm për të transformuar helikat u desh një strukturë 107 metra e gjatë. Në ndryshim nga disa projekte në të kaluarën turbinat nuk janë ankoruar në fund të detit – pika e instalimit është shumë e thellë – por qëndrojnë pezull në ujë falë një sistemi themelesh lundruese.