Në Zbulim të Kasharit, një Atraksion Natyror e Historik Pranë Tiranës

Nëse doni të prekni natyrën e liqenet, apo të shijoni piknikun larg zhurmës së kryeqytetit, Kashari është hapësira e përshtatshme. Kjo falë edhe liqeneve artificiale që shtrihen përreth tij, që ju krijojnë mundësinë të rrethoheni nga bukuritë natyrore të kësaj zone.

Vetëm 10 km larg Tiranës, zona e Kasharit po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Gjatë dekadave të fundit Komuna Kashar, ka pasur shumë ndryshime dhe gërshetimi i bukurive natyrore me zhvillimin urban e bëjnë këtë zonë tërheqëse për t’u vizituar.

Nëse më parë të ardhurat kryesore të zonës lidheshin me prodhimet bujqësore që furnizonin kryeqytetin, sot kjo zonë po zhvillohet gjithnjë e më tepër në aspektin turistik. Prania e katër liqeneve artificiale – Liqeni i Kasharit, i Gjokajt, Kusit dhe i Mëzezit – të pozicionuara pranë një relievi kodrinor, krijojnë një panoramë piktoreske dhe çlodhëse. Për ta shijuar sa më mirë këtë zonë, ju sugjerojmë të merrni biçikletat. Gjatë fundjavave, grupe të shumta e zgjedhin këtë zonë për piknik, ecje në natyrë apo edhe pedalim.

Përveç natyrës dhe liqeneve, restorantet rreth zonës shërbejnë gatime tradicionale. Kjo zonë njihet për tavën e dheut, fërgesën, japrakët (me mish) si edhe për specialitetin e veçantë të pashaqoftes. Në ambjentet e ngrohta dhe familjare, përveç ushqimeve bio, do të kënaqeni edhe nga mikpritja e vendasve.