Tatimorët në aksion kundër nëndeklarimit të pagave, duke kontrolluar kompanitë më të mëdha real estate.
Në kuadër të Planit Operacional në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore, përmes Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe në bashkëpunim me strukturat e verifikimit në terren, ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.
Gjatë kontrolleve u verifikua deklarimi i pagave reale të punonjësve, regjistrimi i tyre në organet tatimore, realizimi i shitjeve, lëshimi i faturave të fiskalizuara, si dhe elementë të tjerë që lidhen me respektimin e detyrimeve ligjore.
Nga kontrollet u konstatuan shkelje të rënda, përfshirë punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmimet e shitjes dhe mosrespektim të detyrimeve për faturimin dhe fiskalizimin.
Bazuar në provat e mbledhura gjatë kontrollit, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan pajisje kompjuterike për vijimin e hetimit të thelluar. Të dhënat e siguruara tregojnë dyshime për evazion tatimor, lidhur me çmimet reale të shitjeve të apartamenteve.
Administrata Tatimore thekson se ky aksion nuk është i përkohshëm dhe do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk deklaron pagat reale, duke cenuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.
Tatimpaguesit në fushën e ndërtimit ftohen të reflektojnë menjëherë në listëpagesat e ardhshme, për të shmangur masat administrative dhe penale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për fshehje të të ardhurave.










