Nënshkruhet marrëveshja e garancisë dhe huasë me BERZH

U nënshkrua marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e huasë ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për linjën e kredisë për ASD.

Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama dhe Presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Znj. Odile Renaud-Basso.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj gjatë fjalës së mbajtur tha se:

“Firmosja e kësaj marrëveshje është përmbyllja e suksesshme e një procesi të gjatë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare, ASD dhe BERZH. Linja e kredisë prej 100 milion EUR për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave është një shenjë besimi dhe mbështetjeje e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndaj ekonomisë shqiptare dhe institucioneve të sektorit financiar.”

Kjo linjë kredie, forcon skemën e sigurimit të depozitave dhe rrit besimin e publikut në sektorin bankar financiar. Gjithashtu rrit nivelin e mbrojtjes së depozituesve, duke përmirësuar nivelin e mbulimit si në nivel depozitash të siguruara, ashtu edhe në nivel institucionesh financiare, që janë pjesë e skemës së sigurimit.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje, BERZH po mbështet me një linjë kredie prej 100 milionë euro rritjen e sigurisë në sektorin bankar, me garanci të Republikës së Shqipërisë.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, është në pozita financiare të forta dhe kjo linjë kredie, dëshmon besimin e institucioneve ndërkombëtare, por njëkohësisht, tregon edhe kujdesin për përmbushjen ligjore të detyrimeve në mbrojtje të depozituesve dhe sistemit financiar.