Nesër miqësorja! Trajneri i ri Maran: Nuk është e lehtë me Izraelin, do jetë test i mirë për Kombëtaren


Nesër në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” Tiranë, Kombëtarja Shqiptare do të luajë ndaj Izraelit, një sfidë miqësore. Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, foli në konferencë për shtyp, ku u shpreh se miqësoret do të kenë rëndësi të veçantë. Maran u shpreh se për momentin shumë gjëra për të nuk janë të qarta, por theksoi se ekipi nuk do jetë konfuz në fushë.

Rolando Maran: Koha asnjëherë nuk është e mjaftueshme kur je trajner në Kombëtare, por ka mjaftuar koha për të pasur një koncept të qartë për mënyrën si do të luajmë. E rëndësishme është mënyra se si do të përkthehet kjo nga lojtarët në fushë. Do na shërbejnë këto ndeshje, për të mësuar si do të luajmë. Do të shërbejë edhe për të gabuar dhe për të mësuar nga ato gabime. Rezultati është i rëndësishëm, por edhe performanca është e rëndësishme. Nëse vijnë të dyja, do të ishte më mirë. Gjithmonë ka rëndësi rezultati, edhe pse është miqësore. Gjithmonë kur hyn në fushë si skuadër, hyn për një rezultat pozitiv. Shpresoj ta arrijmë këtë. Do të jetë e vështirë. Por nëse kemi një paraqitje të mirë, do të vijë edhe rezultati. Nuk është e lehtë me Izraelin, i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe të bën të vraposh pa top. Duhet të japim shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta. Do jetë test i mirë dhe stimulues për lojtarët.



Burimi Shekulli.com.al