Nga 1 gushti prodhimi i dokumenteve biometrike, pasaportë dhe kartë identiteti do të bëhet nga shteti prandaj nga kjo datë aplikimi nuk do të bëhet më përmes kuponëve të “Aleat” por përmes kuponave të kompanisë shtetërore “IdentiTek”. Afati i fundit i aplikimit për ID karta ose pasaporta biometrike, përmes kuponëve të “Aleat” është data 26 Korrik 2023.
‘‘Pas kësaj date nuk mund t’i përdorni dot më kuponët e ‘Aleat. Nga data 1 gusht, aplikimet do të vijojnë me kuponët e rinj të kompanisë shtetërore “IdentiTek”, të cilat i gjeni në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare”,-informoi sot ministria e Brendshme. Çmimi i kuponëve nuk do të ndryshoj, do të jetë i njëjtë siç ka qenë. Nga data 27 deri më 31 nuk do të ofrohet shërbim, pasi do të bëhet gati infrastruktura e re.
Lamtumirë “Aleat”
Përmes një njoftimi të sotëm për median ministria e Brendshme njofton se më 26 korrik mbyllet kontrata me kompaninë “Aleat” dhe se prodhimi i dokumenteve biometrike do të bëhet nga kompania shtetërore “IdentiTek”.
Logoja e re e IdentiTek, simbolizon shqiponjën, të integruar në një chip elektronik.
Ministria e Brendshme dhe “IdentiTek” janë të angazhuara të garantojnë standardin e dokumenteve të prodhuara dhe vijimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me ID karta e pasaporta biometrike pa ndërprerje, në të njëjtat zyra si brenda apo jashtë vendit.