Nga 1 janari 2024 të gjithë personat fizikë tregtar apo të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim, por do të taksohen për fitimin e deklaruar nga biznesi deri më 14 milionë lekë në vit me normën tatimore 15% dhe për fitimin e deklaruar mbi fashën e 14 milionë lekëve në vit 23%, pas shpenzimeve të zbritshme.
Lista për profesionet e lira e miratuar pak ditë më parë me vendimin e Këshillit të Ministrave, e botuar në Fletoren Zyrtare përfshin aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.
Lista për profesionet e lira është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.
Sipas ndarjes në aktivitete në taksimin e ri do të përfshihen si: Filma, video dhe prodhimi i programeve televizivë, regjistrimi i zërit dhe aktivitete të prodhimit të muzikës; Shërbime të teknologjisë së informacionit; Aktivitete të shërbimit të informacionit; Aktivitete të shërbimeve financiare, përveç sigurimeve dhe financimit të pensioneve; Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm; Aktivitete ndihmëse të ndërmjetësimit financiar përveç sigurimit dhe financimit të pensioneve; Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; Aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; Aktivitete veterinare; Aktivitete të marrjes e dhënies me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit; Administrim zyrash mbështetje administrative dhe të tjera aktivitete mbështetëse; Administrimi publik dhe mbrojtja; Sigurimi social i detyrueshëm; Arsimi; Aktivitete të shëndetit; Aktivitete të qendrave të kujdesit mjekësor e social; Aktivitete të kujdesit social pa akomodim; Aktivitete krijuese; Arte dhe aktivitete çlodhëse; Aktivitete sportive argëtuese dhe çlodhëse; Aktivitete të tjera shërbimi.
Kontabilistët pohojnë se personat fizikë apo të vetëpunësuarit e profesioneve të lira do të ngarkohen me barrë ttaimore më shumë se shoqëritë tregëtare. Sipas përllogaritjeve të kontabilistit Mikel Alla për një person fizik apo të vetëpunësuar që deklaron fitimin e tatueshëm vjetor 20.000.000 lekë do të paguajë 3.480.000 lekë në vit. Krahasuar me shoqëritë tregtare, personi fizik apo i vetëpunësuari për tatimin e deklaruar sipas shembullit në vlerën e 20.000.000 lekëve do të paguajë 2,120,000 lekë më shumë në vit sesa shoqëritë tregtare./Monitor