Nga 1 janari nisi implementimi i fiskalizimit nga 7600 biznese! Drejtoresha e tatimeve sqaron: Gradualisht dalin nga tregu kasat fiskale

Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj sqaron se për ata biznese që nuk kanë blerë softuerin do të përdoret portali Self Care pa pagesë. Ky sistem i ri synon të rrisë të ardhurat dhe të ulë evazionin fiskal.

Normal 0 false false false EN-US X-NONE X-NONE

7600 biznese nga data 1 janar e këtij viti nisën  zbatimin e sistemit
të ri të lëshimit të faturave tatimore, të njohur si fiskalizimi. Subjekte në
marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë fatura elektronike, duke përdorur
softuerin e instaluar në pajisjen e tyre kompjuterike, telefon apo
tabletë. Faturat elektronike do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës
Qendrore të Faturave

“Aktualisht janë 19 subjekte të cilët janë certifikuar për të shitur softuer
ndërkohë janë mbi 50 subjekte që janë në faza testimi dhe pritet të
certifikohen në një fazë të shkurtër”, deklaron drejtoresha Delina Ibrahimaj.

Për një periudhë tranzitore nuk do të ketë masa ndëshkuese për subjektet që
nuk e kanë blerë softuerin dhe se do të kenë mundësinë të përdorin portalin
Self Care, nëpërmjet të cilit do të lëshojnë faturat për entet publike.

 Ndërsa drejtoresha e Tatimeve Delina
Ibrahimaj sqaron se ky sistem do sjellë eliminim gradual të kasave fiskale
aktuale nga tregu.

“Ky është një proces gradual i modernizimit dhe në mënyrë natyral mendoj që
kasat do të dalin jashtë funksionimit gjatë viteve në vijim. Ka disa subjekte
që po zhvillojnë një server të ndërmjetëm që do të shërbej si urë lidhëse
ndërmjet kasave aktuale dhe sistemit të ri të fiskalizimit. Ende nuk ka asnjë
server të ndërmjetëm të certifikuar por jemi në dijeni që ka subjekte që po e
zhvillojnë këtë si procedurë”, thotë Ibrahimaj.

Por a
do të sjellë kosto shtesë për biznesin?

“Ne jemi të bindur që hapja e tregut ul kostot. Ne kemi softuer të cilat
fillojnë me kosto më pak se 100 euro mirëmbajtje në vit bashkë me blerjen e
softuerit, dhe çmimi më i lartë nuk mund të kalkulohet  pasi është në
varësi të produktit që tatimpaguesi do të kërkojë”, shprehet drejtoresha e
tatimeve

Ndërkohë në korrik 2021 do fillojë lëshimi i faturave elektronike biznes me
biznes dhe në 1 shtator biznes me konsumator. Me implementimin  e këtij
sistemi çdo transaksion do të regjistrohet në kohë reale duke i dhënë mundësinë
administratës që të identifikojë më shpejt rastet e abuzimeve.