Nga 10 mijë në 25 mijë lekë, ja si ndryshojnë bursat për studentët në nevojë


Bursat për studentët nga familjet në nevojë pritet të rriten nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj, sipas parashikimeve të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Për këtë qëllim, qeveria ka planifikuar një fond shtesë prej 1.1 miliardë lekësh, ndërsa mbështetja financiare dhe akomodimi parashikohet të përfshijnë rreth 16 mijë studentë në vit.

Përveç tyre, 700 studentë dhe doktorantë ekselentë pritet të mbështeten përmes Fondit të Ekselencës. Në total, fondi për arsimin universitar parashikohet të arrijë në 14.2 miliardë lekë.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu më shumë financime për kërkimin shkencor, me 100 milionë lekë shtesë, si dhe për infrastrukturën arsimore, për të cilën janë planifikuar edhe 400 milionë lekë më shumë. Ndërkohë, 500 milionë lekë do të investohen në programin “Pas Shkollës”, që synon t’u mundësojë fëmijëve qëndrimin në shkollë deri në orën 17:00.

“Përmes këtyre investimeve ne synojmë të përmirësojmë kushtet e mësimdhënies, të zgjerojmë mundësitë për nxënësit dhe të forcojmë lidhjen mes arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit”, thuhet në deklaratën e cituar në raportim.

Buxheti i Ministrisë së Arsimit pritet të arrijë në 67.95 miliardë lekë, nga 65.16 miliardë lekë në vitin 2026. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme për sektorin e arsimit, përfshirë fondet për arsimin profesional dhe pushtetin vendor, parashikohen në 93.6 miliardë lekë



Burimi Monitor.al