Nga Beethoven te shpendët: Ja si mund të duken kartëmonedhat e ardhshme të euros


Banka Qendrore Evropiane ka prezantuar 10 propozime të përzgjedhura për dizajnin e kartëmonedhave të ardhshme euro, në kuadër të përpjekjeve për të sjellë kartëmonedha më të sigurta në të ardhmen.

Propozimet, të ndara në dy tema — “Kultura evropiane” dhe “Lumenjtë dhe shpendët” — do të hidhen tani në konsultim publik. Qytetarët evropianë do të kenë kohë deri më 21 shtator për të dhënë mendimin e tyre, bëri të ditur presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.

Në propozimet e përzgjedhura shfaqen figura të njohura si Maria Skłodowska Curie, e vetmja shkencëtare që ka fituar çmime Nobel si në fizikë, ashtu edhe në kimi, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe artisti Leonardo da Vinci.

Seria e dytë përqendrohet te natyra dhe përfshin shpendë si bilbili i ujit dhe lejleku i bardhë.

Në anën e pasme të kartëmonedhave do të shfaqen pamje të natyrës ose të jetës publike, të lidhura me artin, shkencën ose kohën e lirë.

BQE-ja bëri të ditur se do të duhen disa vite për zhvillimin dhe testimin e kartëmonedhave të reja. Ato do të hidhen në qarkullim vetëm pasi të përzgjidhet dizajni përfundimtar dhe të përfundojë i gjithë procesi përgatitor.

Ky do të jetë ridizajnimi i parë i plotë i kartëmonedhave euro që prej emetimit të tyre të parë në vitin 2002.

Ndërkohë, kartëmonedhat aktuale do të vazhdojnë të përdoren.



Burimi Monitor.al