Tirana po bëhet gati për të pritur një nga ngjarjet më të mëdha teknologjike në rajon. Më 7 dhe 8 tetor, Piramida e Tiranës do të kthehet në epiqendrën e inovacionit me Plug and Play Tirana Expo 2026, eventi që kurorëzon tetë muaj punë intensive të 21 startup-eve të kohortës së dytë. Por përtej garës dhe prezantimeve, ajo që e bën këtë event vërtet të jashtëzakonshëm dhe një moment historik për ekosistemin tonë është lista e të ftuarve. Për dy ditë me radhë, kryeqyteti do të mirëpresë figura kyçe nga korporatat më të mëdha botërore, fondet më të suksesshme të investimeve dhe liderët e rrjetit global të Plug and Play.
Korporatat Ndërkombëtare
Prania e përfaqësuesve nga korporatat gjigante globale është një mundësi e artë për startup-et që të kuptojnë se si inovacioni i tyre mund të gjejë zbatim në shkallë industriale dhe të krijojnë partneritete të fuqishme. Në këtë edicion do të kemi nderin të dëgjojmë Raymond J. Chow, i cili drejton inovacionin e biznesit si Senior Manager tek gjiganti i automjeteve Daimler. Krahas tij, Moritz Glandien do të sjellë ekspertizën e tij mbi inovacionin në shërbimet digjitale nga DXC Technology, ndërsa Dr. Bill Barber do të ndajë vizionin e tij si Drejtor i Inovacionit në Intesa Sanpaolo Innovation Center. Bota e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë “cloud” do të përfaqësohet në nivelet më të larta nga Fatos Ismaili, Chief AI Architect në Microsoft, si dhe nga Dario Andreoli, i cili mban pozicionin e Head of Cloud Platforms në Google. Lista e emrave të rëndësishëm vazhdon me dhjetra të tjerë të cilët i gjen në www.tiranaexpo.com.
Fondet e Investimeve
Pjesëmarrja e fondeve të kapitalit sipërmarrës (VCs) do të thotë që idetë e prezantuara në Expo kanë mundësinë reale të kthehen në marrëveshje financiare milionëshe, duke hapur dyert e rritjes globale. Për të vlerësuar startup-et tona dhe ndoshta për të zbuluar suksesin e radhës, në Tiranë, ndër të tjera emra, do të jetë edhe Julien Coustaury, Partner Themelues i Fil Rouge Capital. Atyre u bashkohet edhe Alexandra Lazar, eksperte e financave të portofolit dhe marrëdhënieve me investitorët në Elevator Ventures, së bashku me Max Gurvits, Partnerin Menaxhues të Vitosha Ventures. Lista e investitorëve të profilit të lartë plotësohet nga Rodrigo Ferreira, Drejtor Investimesh në Vinthera, dhe Zeina Mandour, Menaxhere e Investimeve Sipërmarrëse në Dar.
Rrjeti Global i Plug and Play
Asnjë event i këtij niveli nuk do të ishte i plotë pa praninë e vetë drejtuesve të lartë të rrjetit ndërkombëtar të Plug and Play, të cilët janë arkitektët e këtij ekosistemi global. Të pranishëm do të jenë emra me peshë të jashtëzakonshme, duke filluar nga Jackie Hernandez, Anëtare Themeluese dhe Zëvendëspresidente e Lartë për Partneritetet Globale në Plug and Play. Ajo do të shoqërohet nga Partnerët e Plug and Play, Carolin Wais dhe Philipp Gneiting, të cilët sjellin me vete një përvojë të gjatë në skauting, strategji dhe mbështetjen e startup-eve anembanë botës.
EXPO nis më datë 7 tetor me mesazhin mirëpritës të Martin Mata, CEO i AADF.
Si të bëheni pjesë?
Plug and Play Tirana Expo 2026 nuk është thjesht një panair teknologjik, por një urë lidhëse thelbësore mes Shqipërisë dhe tregjeve globale të kapitalit. Ky event dy-ditor është shansi juaj për të bërë rrjetëzim me mendjet më të ndritura të industrisë dhe për të parë nga afër se si po ndërtohet e ardhmja e inovacionit. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të qenë pjesë e një ngjarjeje që po formëson ekosistemin shqiptar. Siguroni vendin tuaj duke u regjistruar tani në www.tiranaexpo.com dhe bëhuni gati për t’u frymëzuar!
INFO:
Plug and Play Tirana është një degë e platformës globale Plug and Play Tech Center, me seli në Silicon Valley, e cila vepron në mbi 60 qytete në mbarë botën. Përmes mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me IN Groupe, Bashkia e Tiranës, Piramida, dhe Innovation Hub programi ka sjellë për herë të parë në Shqipëri një qasje të strukturuar të akselerimit të startup-eve.










