Nis korrja e grurit, fermerët: Çmimi 25 lek për kg, nuk nxjerrim as shpenzimet

Javët e para të korrikut përkojnë me ditët e para të korrjes së grurit në fushën e Maliqit. Prodhimi këtë vit është i kënaqshëm për fermerët e kësaj zone, por dhimbja e kokës për ta duhet të vazhdojë, pasi çmimi është gati sa gjysma e vitit të kaluar

Sipas fermerëve, çmimi prej 25 lekësh për kilogram bën që ata të dalin me humbje apo marrin vetëm shpenzimet e tyre dhe mos shohin asnjë fitim.

“Jemi llafosur me gjithë sipërmarrësit që marrin drithin, çmimi ka shkuar më 250 lek te vjetra. Kjo është katastrofë. Vjet ka qenë  450-500, ministrja bëri thirrje që mbillni grurë, tani gruri nuk shkon fare. Tani jemi totalisht të dështuar”,-tha fermeri Lili Mucollari

“Po te besh llogari me këtë çmim i bie kot sa kemi punuar. Punimet i kemi bëre me çmimet e shtrenjta, nafta, plehrat, qeraja e tokës, me 250 lek ose merr bukën e gojës ose viri zjarrin, po nuk vlen. Del me humbje po te llogaritësh shpenzimeve nuk mbulon dot kostot “,-tha Cone Veriu.

“Nuk leverdis hiç, se nuk dalin shpenzimet, as plehu kimik, as nitrati. Po ta shes me këtë çmim dal me humbje “,-tha Hysni Bego.

I revoltuar, njëri nga fermerët fajëson qeverinë për situatën në treg, duke treguar se mundësitë janë tepër të mëdha për ta lënë tokën djerrë vitin e ardhshëm

“Ky është një problem i madh, nuk e di, qeveria nuk dha zgjidhje dhe ne fermeret jemi të dështuar. Gjysma e çmimit i fundos gjithë fermerët. Nuk u mor asnjë masë. Rrezik që nuk do e mbjellim më. Edhe pse ligji është që duhet mbjellë se ndryshe gjobitesh, por qeveria na çon për të korrur dhe na fshen draperinjtë, ne mbjellim, ata nuk marrin prodhimin”,-tha tha fermeri Lili Mucollari.

Në fushën e Maliqit janë 4392 hektarë tokë të mbjella me grurë, 403 hektarë elb dhe 84 hektarë thekër.