Drejtoria e Përgjithshme e Transportit nisi sot punimet për ndërtimin e një Qendre të mirëfilltë Shërbimesh të Transportit Rrugor.
Këtu mjetet mund të kryejnë Kontrollin Fizik e Teknik si dhe do të ketë Linjë Kolaudimi, Linjë Tahografi për tërë shërbimet me mjetin dhe me drejtuesin e mjetit njësoj si në çdo drejtori rajonale, në shërbim të Bashkive Burrel dhe Klos, ku janë rreth 6,000 mjete rrugore dhe mbi 13 mijë drejtues mjeti!
Investimi përfshin ndërtimin e objektit të ri me sipërfaqe 298 m2 (administrata, salla e shërbimeve dhe klasa e testimit), ndërtimi i kapanonit të QKT 321 m2, oborr funksional me 400 m2 gjelbërim me lulishte dhe pemë, etj!
“I vijmë në ndihmë komunitetit duke shkurtuar distancat, ulim kostot për sektorin dhe u kursejmë kohë qytetarëve dhe subjekteve që për kryerjen e shërbimeve me mjetin, për testime, certifikime e praktika të shumta duhet të udhëtonin drejt Peshkopisë, me një distancë rreth 162 km (3 orë e 20 minuta mesatarisht vajtje – ardhje)”, thekson Blendi Gonxhja.