NASA ka nisur me sukses në hapësirë teleskopin e saj të gjeneratës së ardhshme, Nancy Grace Roman, i cili pritet të ndryshojë mënyrën se si shkencëtarët studiojnë Universin. Teleskopi u nis të dielën nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, me një raketë të SpaceX.
Rreth 30 minuta pas nisjes, Roman u shkëput nga raketa dhe nisi udhëtimin drejt pikës së tij të vëzhgimit, rreth 1.6 milionë km larg Tokës. Aty do të qëndrojë në orbitë rreth Diellit dhe pritet të operojë për të paktën pesë vite, me objektiv zgjatjen e misionit deri në 10 vite.

Ajo që e bën Roman veçanërisht të rëndësishëm është fusha e tij gjigante e shikimit. Sipas NASA-s, teleskopi do të mund të fotografojë një zonë të qiellit 100 herë më të madhe se Hubble dhe James Webb në një vëzhgim të vetëm.
Një nga objektivat kryesorë është zbulimi i dhjetëra mijëra, ndoshta deri në 100 mijë ekzoplanetëve që ndodhen jashtë Sistemit Diellor. Shkencëtarët shpresojnë gjithashtu të studiojnë atmosferat e tyre dhe të përcaktojnë nëse disa prej tyre mund të jenë të banueshme.

Roman do të hetojë gjithashtu lëndën e errët dhe energjinë e errët, të cilat së bashku mendohet se përbëjnë rreth 95% të Universit, por ende mbeten ndër misteret më të mëdha të fizikës.
Teleskopi mban emrin e Nancy Grace Roman, astronomes së parë kryesore të NASA-s dhe një prej figurave që ndihmuan në realizimin e teleskopit Hubble. Me Roman, shkencëtarët synojnë të krijojnë harta kozmike gjigante dhe të kuptojnë më mirë se si Universi ka evoluar gjatë miliarda viteve.










