“Shqipëria mikpret botën”. Nisi sot Java Ndërkombëtare e Kulturës, një nismë e re e qeverisë që synon njohjen e kulturave dhe traditave të tjera nga qytetarët shqiptarë

Ka nisur sot Java Ndërkombëtare e Kulturës, një nismë e re e qeverisë që synon njohjen e kulturave dhe traditave të tjera nga qytetarët shqiptarë.

Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se kjo javë fillon me Francën, teksa u shpreh se synimi është që ky organizim të jetë i përvitshëm, për të shpalosur kulturën dhe traditat e ndryshme të çdo qytetërimi.

“Jemi për të prezantuar një nismë të re të qeverisë shqiptare që e kemi quajtur “Shqipëria mikpret botën”, një bashkëpunim me vende të tjera mike, partnere apo prezente në Shqipëri, përmes përfaqësive të tyre. E kemi organizuar përmes një serie javësh kulturore ndërkombëtare. Këto javë synojmë të jenë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishme të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por edhe të argëtimit të qytetarëve apo vizitorëve përgjatë zhvillimit të një jave kulturore. Patjetër që si viti i parë që nis ky program i ri, është i gjithi në një fazë nisje, që do të pasurohet me siguri në vitet e radhshme, një eksperiencë krejt e re nga e cila do të mësojmë dhe kuptojmë më shumë.

Fillon me javën e Francës dhe më pas vazhdojnë sipas një kalendari që Ministria do ta paraqesë. Dua të theksoj se disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në organizimin e javëve të tyre kulturore, por ky angazhim i përbashkët i nxjerr këto javë nga suaza e tyre e mbyllur dhe i bën shumë të aksesueshme duke përfshirë jo vetëm aktivitete artistike, por edhe ngushtësisht të lidhura me krijimtarinë në fusha të ndryshme të artit, por edhe aktivitete në rrugë ose drejtpërdrejt kulturën dhe traditën e gatimit të vendeve të tjera.

Është një program që ne synojmë që të gjitha moshat ta frekuentojnë, një program ku synojmë të ketë hapësirë për moshat e reja dhe deri te pensionistët. Qëllimi i këtij programi është ta shtrijë këtë përzierje kulturash në të gjithë hartën e Shqipërisë. Palët e angazhuara kanë nevojë të shohin hap pas hapi cilësinë e programit dhe më pas disa shkëndija të vogla konkurence do vazhdojnë të kthehen në një konkurencë të zjarrtë”, tha Rama.