Fermerët në 15 mars nisin aplikimet online në e-Albania, për Skemat Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2021 me zero dokumente për shtatë masa mbështetëse.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë interpelancës që zhvilloi sot me fermerë të interesuar për procedurat e aplikimit në skemën e mbështetjes me naftë falas për bujqësinë, tha se ”fermerët aplikojnë në Skemat e Mbështetjes 2021 për të njëjtat masa si vitin e kaluar me zero dokumente”.
Aplikimet në Skemat Kombëtare 2021 do të jetë e hapur deri në javën e parë të muajit prill Ndërkohë që vitin e kaluar nga Skemat Kombëtare 2020 përfituan 17 mijë fermerë.
Skema Kombëtare financon 7 masa: Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar. Masa 2: Bletaria. Masa 3: Financime për zëvendësim plastmasi termik. Masa 4: Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike. Masa 5: Mbështetje për fermat organike. Masa 6: Certifikimi Global Gap. Masa 7: Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim.
Ekonomi tha se, “edhe pse 2020, ishte një vit shumë i vështirë nga situate që krijoi pandemia, bujqësia ia doli të ishte një motor i rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe jo vetëm të rrisë prodhimin por edhe të zgjeroj eksportet në 75 tregje të huaja europiane e më gjerë. Është merita e juaja që prodhimi bujqësor në Shqipëri u rrit dhe po bëhet gjithnjë e më konkurrues në tregje”.
“Nëse në vitin 2017 kishim një raport eksport /importi në shifrat 1/3.6 sot e kemi 1/2.3. Në këtë sukses të bujqësisë meritë ka edhe mbështetja që ka dhënë qeveria. Sot falë investimeve në veprat ujitëse kemi 255 ha tokë bujqësore të punueshme që është e ujitshme dhe sipërfaqet me serra janë shtuar në 1 700 ha, që bën një cikël të plotë prodhimi”- u shpreh ministrja.
Ekonomi theksoi se, Qeveria ka mbështetur bujqësinë dhe drejtëpërdrejtë fermerët me Skemat Kombëtare, programin IPARD dhe risia është mbështetja me skemën e naftës falas.
Sipas saj, zgjatja e afatit të aplikimit të fermerëve për naftë falas nga data 25 shkurt në datën 30 mars 2021, iu jep mundësi aplikimi të gjithë fermerëve që po nxitojnë të pajisen me NIPT, që është kusht për të përfituar nga kjo masë.
Janë 6600 kërkesa të fermerëve që duan të pajisen me NIPT që nga koha e nisjes së aplikimit në skemën e naftës.
Ekonomi tha se naftë falas përfitojnë të gjithë fermerët që punojnë tokën edhe kur e kanë tokën me qira.
Duke u ndalur në procedurat që duhet të ndjekin fermerët për përfitimin e naftës falas, Ekonomi tha se “Fermerët nuk paguajmë asnjë lek në pikat e karburantit kur marrin naftën për bujqësinë”.
“Nuk kërkohet pagesa e taksave, as pagesa e sigurime shoqërore, dhe mjafton të merrni naftë pa paguar asgjë”- tha Ekonomi ndërsa i bëri apel fermerëve për të aplikuar në këtë skemë.










