Një gjeneratë robotësh “pensionohet” në mënyrën më spektakolare të mundshme, duke u hedhur në metal të shkrirë


Nëse Terminator 2 do të kishte një version të prodhuar në Silicon Valley, fundi i tij mund të dukej pikërisht kështu. Një grup robotësh humanoidë F.02 të kompanisë amerikane Figure janë nxjerrë jashtë përdorimit dhe, në vend që të çmontoheshin pjesë-pjesë, janë trajnuar për t’u hedhur vetë në një rezervuar me çelik të shkrirë. 

Vendimi erdhi pasi Figure po kalon drejt gjeneratave më të reja të robotëve. Çmontimi manual i F.02 do të kërkonte kohë të konsiderueshme nga inxhinierët dhe do të krijonte edhe një problem tjetër. Robotët përmbajnë actuators të personalizuar dhe teknologji që kompania nuk dëshironte t’i nxirrte jashtë kontrollit të saj.

CEO dhe themeluesi i Figure, Brett Adcock, kërkoi në rrjetet sociale ide për një “lamtumirë” të denjë për robotët. Sugjerimi më i famshëm erdhi nga Arnold Schwarzenegger, aktori që mishëroi Terminatorin: “Duhet t’i shkrini.” Kompania e mori seriozisht këshillën.

Problemi ishte gjetja e një fabrike që pranonte të fuste në furrë robotë me bateri litium-jon. Pas kontakteve me shkritore në SHBA dhe Meksikë, Figure përfundimisht i dërgoi robotët në një fabrikë në Imatra, Finlandë.

Por para “udhëtimit të fundit”, robotët duhej të mësonin të hidheshin saktësisht në objektiv. Figure përdori simulime, të dhëna nga lëvizjet e artistëve profesionistë dhe prova me jastëkë sigurie për të trajnuar sistemin që kontrollonte kërcimin.

Rezultati është një skenë që duket më shumë si film fantastiko-shkencor sesa si proces industrial: robotët F.02 hidhen drejt metalit të shkrirë, duke i dhënë fund jetës së tyre operative.

Dhe ironia është e plotë: makineritë nuk po “vrasin veten”. Ato thjesht po ekzekutojnë një komandë të programuar nga njerëzit. Megjithatë, ndërsa robotët bëhen më autonomë, sa kohë do të kalojë përpara se njerëzit të fillojnë t’u atribuojnë atyre emocione dhe qëllime që, në realitet, nuk i kanë? 



Burimi Geekroom.al