Një rrugë e re në Florida do t’i karikojë makinat elektrike gjatë lëvizjes

Shqetësimet për karikimin e makinave elektrike në udhëtimet e gjata, është një ndër arsyet që shumë shoferë nuk dëshirojnë të zotërojnë një të tillë. Por për adresimin e këtij shqetësimi është përkujdesur Florida e SHBA-së, e cila ka miratuar një projekt inovativ në fushën e karikimit të makinave elektrike.

Ky projekt përfshin elektrizimin e rrugës shtetërore 516, që do të ndihmojë në karikimin e makinave gjatë kohës që ato janë në lëvizje. Fillimisht, ajo do të jetë e aftë për të karikuar vetëm disa automjete pasi do të elektrizohet vetëm një pjesë e saj. Rruga 524 milionë dollarëshe, do të përshkojë tokën e gjelbër dhe siguron nënkalime për kafshë të egra dhe shtigje për vrapues e këmbësorë. Gjithashtu, ajo do të sjellë një përfitim të madh ekonomik pasi lidh dy rajonet me rritjen më të shpejtë në Florida.

Ndërkaq, cilat automjete janë më të besueshme mendoni ju, elektriket apo ato me motorë me djegie të brendshme? “American Consumer Reports”, organizata që merret me mbrojtjen e interesave të konsumatorëve ka ardhur me një përgjigje. Bazuar në hulumtimet e tyre, automjetet elektrike janë shumë më pak të besueshme se automjetet me motorët me djegie.

 

Sipas të dhënave të mbledhura nga pronarët e më shumë se 330 mijë automjeteve nga viti 2000 e deri më sot tregojnë se automjetet elektrike janë mesatarisht 79% më pak të besueshme se automjetet me benzinë dhe naftë. Hibridet plug-in janë edhe më keq kur bëhet fjalë për besueshmërinë, me 146% më shumë probleme në krahasim me makinat tradicionale me benzinë ose naftë. Është interesante se automjetet tradicionale hibride arritën rezultatet më të mira, me 26% më pak probleme në krahasim me automjetet me benzinë dhe naftë.