Njihuni me 25 startup-et që i bashkohen Plug and Play Tirana 2026!


Pritjes i erdhi fundi! Pas një procesi rigoroz seleksionimi mes qindra aplikimeve nga Shqipëria, rajoni dhe diaspora, Plug and Play Tirana ka përzgjedhur zyrtarisht 25 startup-et që do të jenë pjesë e Kohortës së Dytë. Këta novatorë janë gati të nisin fazën më intensive dhe transformuese të rrugëtimit të tyre: një program mentorimi 8-javor me ekspertë globalë, i cili do t’i përgatisë për t’u ngjitur në skenën e madhe të Expo-s dhe potencialisht për të prekur ëndrrën e Silicon Valley.

“Suksesi i kohortës së parë pasqyrohet te startup-et e këtij viti, të cilat shënojnë një rritje të dukshme në numër dhe cilësi. Ky grup shquhet për diversitet të lartë gjeografik e sektorial, me një interes të shtuar nga sipërmarrësit shqiptarë në rajon dhe diasporë. Përzgjedhja ishte sfiduese për shkak të aplikimeve të shumta, ndaj jemi përpjekur t’u japim hapësirë të gjithë kandidatëve më premtues.”

Uranik Begu, Drejtor për rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore (CEE), Plug and Play.

Ja kush janë ekipet që do të formësojnë të ardhmen e teknologjisë në rajon:

  • Sainni AI – Një ekosistem i plotë i fuqizimit të shitjeve (sales enablement) që përdor Inteligjencën Artificiale për të ndihmuar çdo biznes të rrisë konvertimet, duke synuar të kthehet në një standard global për shitjet.
  • Greecon – Një platformë ku sistemet e energjisë, bujqësisë dhe ujit operojnë në harmoni përmes automatizimit inteligjent dhe të dhënave.
  • LekoTech – Një zgjidhje vertikale SaaS për industrinë e pjesëve të këmbimit të automjeteve, duke dixhitalizuar gjithë ciklin nga çmontimi deri tek rishitja e gjurmueshme.
  • Onemor – Ekosistemi i parë social i fitnesit i dedikuar për Gen Z, ku përdoruesit stërviten, krijojnë dhe rriten së bashku në një ambient digjital po aq tërheqës sa TikTok-u.
  • Rent From Locals – Marketplace-i i referencës për turizmin, që lidh udhëtarët direkt me ofruesit lokalë për makina dhe shërbime të tjera, duke shërbyer si sistemi operativ për bizneset e vogla të qiradhënies.
  • NoctiVox – Ofrues i unifikuar i sigurisë kibernetike, që sjell zgjidhje të avancuara të mbrojtjes përmes Machine Learning për SME-të dhe korporatat e mëdha.
  • BeachMaster – Infrastruktura digjitale për menaxhimin e plazheve, duke ofruar transparencë për turistët dhe operim efikas për bizneset bregdetare.
  • SmartDose – Një sistem inteligjent për menaxhimin e medikamenteve që parandalon gabimet në dozim përmes paketimit “smart” dhe njoftimeve të automatizuara.
  • Tribu World – Ekosistemi i parë i “metakomuniteteve”, që fuqizon organizatat dhe grupet me ndikim të bashkëpunojnë dhe të krijojnë zgjidhje përtej kufijve.
  • Vrtex – Një platformë e unifikuar inteligjence që monitoron dhe analizon në kohë reale si median tradicionale ashtu edhe atë sociale.
  • SKAITECH – Lider në prodhimin e dronëve dhe zgjidhjeve UAV në Ballkan, me fokus në operacionet e mbrojtjes, sigurisë publike dhe emergjencave civile.
  • Teracrowd – Synon të krijojë mjedisin më të madh bashkëpunues të punës në botë, duke ripërcaktuar mënyrën se si njerëzit punojnë së bashku.
  • Sorsend – Sisteme AI që automatizojnë menaxhimin operacional, duke kthyer emailet dhe detyrat në procese të vetë-organizuara për të rritur produktivitetin.
  • Drospect – Shtresa e inteligjencës AI për asetet e energjisë dhe infrastrukturës, që përdor binjakë digjitalë për inspektime dhe mirëmbajtje parashikuese.
  • Holos Health – Një rrjet global i “Health Hubs” të fuqizuar nga AI, që sjell diagnostikime të nivelit klinik në farmaci dhe lokacione partnere.
  • LookUp – Synon të bëhet shtresa digjitale për “Makinat e Lidhura” (Connected Cars), duke ofruar infrastrukturë për parkim, karikim dhe mirëmbajtje autonome.
  • BCHAR – Infrastrukturë globale për heqjen e karbonit, që transformon mbetjet e biomasës në impakt klimatik të përhershëm përmes teknologjisë biochar.
  • VX NORTH – Shtresa universale e besimit për informacionin, që përdor “Auditable AI” për të verifikuar vërtetësinë e përmbajtjes në epokën digjitale.
  • Tendr – Sistemi operativ “end-to-end” për tenderat në Evropë, që ndihmon kompanitë të menaxhojnë ofertat dhe të rrisin shkallën e suksesit në prokurime.
  • Archtaste – Ekosistemi kryesor digjital për arkitekturën, ku profesionistët ndërtojnë identitetin e tyre dhe lidhen me klientë e mundësi globale.
  • ATELIA – Ofron inteligjencë për ciklin jetësor të produkteve të modës dhe luksit, duke mundësuar pasaporta digjitale dhe modele biznesi rrethore.
  • Logsion – Sistemi i parazgjedhur i dispeçimit me AI për logjistikën e ndërtimit, që optimizon dërgesat e betonit dhe materialeve në kohë reale.
  • MedicAL Wallet – Aplikacion shëndetësor që thjeshton monitorimin e të dhënave mjekësore dhe transaksioneve me ofruesit e shërbimit shëndetësor.
  • Katalogim – Infrastrukturë e fuqizuar nga AI për zbulimin dhe specifikimin e produkteve në industrinë e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
  • Levita – Po ndërton sistemin operativ shëndetësor (Health OS) për Ballkanin, duke lidhur shërbimet e fragmentuara mjekësore në një profil të unifikuar pacienti.

Bootcamp-i i parë hapi siparin më 3 shkurt 2026, duke shënuar fillimin e një rrugëtimi që premton të transformojë jo vetëm këto 25 biznese, por të gjithë ekosistemin e inovacionit në rajon. 

Edhe këtë vit, Geek Room do të jetë media partneri zyrtar, duke pasqyruar hap pas hapi të gjithë rrugëtimin e startup-eve gjatë Plug and Play Tirana. Në rrjetet tona sociale do të keni mundësi të njiheni nga afër me aktivitetet, themeluesit dhe mentorët e shumtë ndërkombëtarë që do të vizitojnë Tiranën gjatë këtyre muajve.

Suksese të gjithëve!

INFO:

Plug and Play Tirana është një degë e platformës globale Plug and Play Tech Center, me seli në Silicon Valley, e cila vepron në mbi 60 qytete në mbarë botën. Përmes mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me IN Groupe, Bashkia e Tiranës, Piramida, dhe Innovation Hub programi ka sjellë për herë të parë në Shqipëri një qasje të strukturuar të akselerimit të startup-eve. 



Burimi Geekroom.al