Viti 2025 ishte historik për inovacionin në Shqipëri, ku suksesi i kohortës së parë të Plug and Play Tirana kulmoi me prezantimin e 10 startup-eve në Silicon Valley. Ky rrugëtim u mundësoi themeluesve takime direkte me investitorë globalë, duke siguruar financimet e nevojshme për t’u zgjeruar me shpejtësi në tregun ndërkombëtar.
Por ajo që vërteton cilësinë e programit është vendimi i vetë Plug and Play për të investuar drejtpërdrejt në disa prej këtyre startup-eve, duke u kthyer në një vulë besimi që u jep atyre shtysën e duhur për të dominuar në tregjet përkatëse.

Geek Room bisedoi me disa prej themeluesve që kanë siguruar tashmë investime përmes këtij rrugëtimi. Ata shprehen se ky partneritet ka qenë vendimtar jo vetëm për kapitalin, por për kredibilitetin dhe shpejtësinë që i ka dhënë zhvillimit të bizneseve të tyre.
Mbështetja e Plug and Play na dha besimin se po zgjidhim një problem real. Ky kredibilitet na mundësoi të rekrutojmë njerëzit e duhur dhe të lëvizim shpejt.
Antigoni Kourou, NEKOD
Partneriteti me Plug and Play i dha Infite Code AI shtysën që i duhej për të kaluar në nivelin tjetër. Ky investim nuk përfaqëson vetëm mbështetje financiare, por një validim të fortë të vizionit dhe potencialit tonë. Falë këtij bashkëpunimi, kemi përshpejtuar ndjeshëm inovacionin, kemi zgjeruar kapacitetet tona dhe kemi arritur të krijojmë zgjidhje me ndikim real në treg. Rrugëtimi ynë vazhdon me një ritëm të qëndrueshëm, duke ndërtuar sukses afatgjatë dhe duke vendosur standarde të reja në industrinë tonë.
Agon Fejza, Infite Code AI
Përmes programit dhe investimit të Plug and Play arritëm të validojmë dhe të lançojmë me sukses versionin beta të produktit, të mbledhim një grup solid investitorësh globalë dhe ta rrisim ekipin 4-fish. Pas lançimit tonë në nëntor kemi mbi 50 mijë përdorues dhe jemi ndër startup-et me rritjen më të shpejtë në fushën e arkitekturës.
Brendon Ahmeti, Synaps
Që kur Plug and Play investoi në Bliss, qasja jonë tek investitorët globalë dhe partnerët strategjikë u përshpejtua ndjeshëm. Ata investuan në një të ardhme ku kujdesi për shëndetin mendor arrin te të gjithë, pavarësisht se nga vijnë. Ajo bindje e hershme, e kombinuar me shtrirjen e tyre globale, ndryshoi trajektoren e Bliss.
Jona Doda, Bliss
Plug and Play nuk ka qenë vetëm një investitor për ne, por një partner strategjik. Investimi i tyre na ka dhënë validim ndërkombëtar, akses në një ekosistem të fuqishëm inovacioni dhe mundësi reale për të shkallëzuar kidsday në tregje të reja.
Bardh Kadiu, kidsday
Investimi i Plug and Play në Insect Intel nuk ishte thjesht një lëvizje financiare, por konfirmimi se teknologjia shqiptare mund të konkurrojë globalisht. Përveç kapitalit, ekipi fitoi diçka edhe më të çmuar: aksesin në një rrjet ndërkombëtar korporatash dhe mentorësh të sprovuar. Përvoja në selinë qendrore në Silicon Valley ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si ekipi e sheh produktin dhe tregun. Të jetosh mes novatorëve që formësojnë të ardhmen e përshpejtoi zhvillimin tonë dhe i hapi Insect Intel dyer që vështirë se do të hapeshin ndryshe.
Endri Dhaskali, Insect Intel

Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa vizionin e drejtuesve ndërkombëtarë të rrjetit. Clemente Francavilla, Manager në Plug and Play Ventures, mbulon rajonin tonë dhe është një nga zërat kyç në identifikimin e mundësive më premtuese të investimit. Ai ka ndjekur nga afër zhvillimin e secilit prej këtyre startup-eve.
Kemi qenë jashtëzakonisht të lumtur me mënyrën se si ka ecur grupimi i parë i programit shqiptar të akselerimit. Niveli i cilësisë dhe, akoma më shumë, motivimi i treguar nga themeluesit i ka tejkaluar vërtet pritshmëritë tona. Deri më sot, ne kemi investuar drejtpërdrejt në gjashtë startup-e që mbulojnë një gamë të larmishme industrish dhe operojnë në gjeografi të ndryshme. Secila prej këtyre kompanive tregon një potencial të jashtëzakonshëm për t’u shkallëzuar ndërkombëtarisht, gjë që përforcon besimin tonë në fuqinë e ekosistemit që po ndërtohet. Jemi jashtëzakonisht krenarë për të gjithë themeluesit tanë dhe jemi të entuziazmuar të vazhdojmë t’i mbështesim ata në rrugëtimin e tyre të rritjes.
Clemente Francavilla, Manager në Plug and Play Ventures

Me këto rezultate të jashtëzakonshme nga viti i kaluar, sytë janë tashmë të drejtuar te kohorta e dytë që sapo ka nisur rrugëtimin e saj. Startup-et pjesëmarrëse të këtij viti zotërojnë po të njëjtin potencial të lartë për të tërhequr vëmendjen e investitorëve dhe për të siguruar financime thelbësore. Historitë e suksesit të kohortës së parë tregojnë qartë se formula funksionon dhe se novacioni shqiptar, kur kombinohet me rrjetin e duhur, mund të shkëlqejë kudo në botë.
Si një nga mundësitë më të vyera në Shqipëri për themeluesit vizionarë, Plug and Play mbetet ura më e sigurt lidhëse me tregjet globale. Tani presim të shohim se cilat do të jenë kompanitë e radhës që do të prekin ëndrrën e shumëkërkuar të Silicon Valley.
INFO:
Plug and Play Tirana është një degë e platformës globale Plug and Play Tech Center, me seli në Silicon Valley, e cila vepron në mbi 60 qytete në mbarë botën. Përmes mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me IN Groupe, Bashkia e Tiranës, Piramida, dhe Innovation Hub programi ka sjellë për herë të parë në Shqipëri një qasje të strukturuar të akselerimit të startup-eve.










