Objektet shtetërore u jepen banorëve – Privatizohen banesat e dhëna nga EKB para 2007, si dhe ato që janë zënë para 2004

Agjentët e GELDTrade na njoftojnë se qeveria ka vendosur të privatizojë të gjithë apartamentet e dhëna nga Enti Kombëtar I Banesave përpara vitit 2007, si dhe ato të zëna nga qytetarët përpara vitit 2004 por që rezultojnë ende në pronësi të shtetit.  Në mbledhjen e së mërkurës Këshilli I Ministrave ka përcaktuar dhe procedurat që duhet të ndjekin familjet për të marrë certifikatat e pronësisë.

Qëllimi i vendimit është finalizimi i procedurave të privatizimit të objekteve të paprivatizuara për 4 tipologji banesash:

Së pasi banesat e ndërtuara me fonde publike nga Enti Kombëtar i Banesave (në vijim, EKB), pavarësisht nëse kanë kaluar ose jo në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore ku ato ndodhen, të cilat, deri në fund të vitit 2007, kanë rezultuar me kontrata të palidhura, si dhe banesat e ndërtuara me fonde publike nga EKB-ja, që rezultojnë me kontrata të zgjidhura e të liruara me vendim gjykate;

Së dyti banesat dhe objektet e kthyera në fond banese, që, me vendime të Këshillit të Ministrave, i kanë kaluar në administrim EKB-së, me qëllim privatizimin e tyre;

Së treti banesat ose objektet e kthyera në fond banese me vendime të organeve të vetëqeverisjes vendore, ato që kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe ato që figurojnë ende në pronësi të shtetit, ku, me autorizime të dhëna nga organet kompetente, janë sistemuar me strehim banorët përpara vitit 2004;

Dhe së katërti objektet që kanë mbetur të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura, përveç rasteve kur me ligj të veçantë janë përcaktuar procedura të tjera për privatizimin e tyre.

Të drejtën për privatizim e kanë të gjithë anëtarët e familjes që rezultojnë në certifikatën e gjendjes familjare aktuale në momentin që fillon procesi i privatizimit. Privatizimi i banesave ose i objekteve të kthyera në fond banese, sipas këtij vendimi, bëhet bazuar në normat e strehimit në fuqi në momentin e privatizimit. Për efekt të llogaritjes së vlerës së privatizimit e të evidentimit të sipërfaqes së mundshme të tepërt të banimit, referimi do të bëhet në certifikatën e gjendjes familjare në momentin e miratimit të së drejtës së përfitimit të strehimit. Çdo sipërfaqe e përfituar mbi atë të normave të strehimit llogaritet me çmimin e tregut, me përjashtim të rastit të ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve të Forcave të Armatosura, për të cilët sipërfaqja e banimit mbi normat e strehimit trajtohet njëlloj si sipërfaqja brenda normave të strehimit.

GELDTrade.al