Opel synon shoferët e rinj me veturat e reja Rocks-e

Opel po synon shoferët e rinj me Rocks-e e saj. Vetura e vogël elektrike me dy ulëse do të dalë në shitje në Gjermani në vjeshtë. Tregjet e tjera do të pasojnë më vonë, ka thënë Opel në një deklaratë.

Vetura do të pozicionohet nën modelin e Corsa dhe do të ketë një çmim në një nivel që pothuajse çdo shofer mund ta përballojë, nga fillestarët e rinj e deri tek udhëtarët urbanë, shtoi Opel.

Çmimi i nivelit fillestar për Rocks-e do të jetë dukshëm më i ulët se për një veturë të vogël dhe kostoja mujore e qirasë do të jetë e ngjashme me atë të një bilete për transportin publik lokal, vijoi marka. Opel nuk bëri të ditur çmimet.

Rocks-e klasifikohet si një katërçikletë për shkak të madhësisë së tij të vogël dhe shpejtësisë së ulët, kështu që mund të drejtohet nga mosha 15 vjeçare në Gjermani me licencë për vetura të lehta motorike dhe disa vende të tjera evropiane.

Opel thotë se Rocks-e mbyll hendekun midis skuterëve dhe veturave të pasagjerëve, duke ofruar lëvizshmëri elektrike me mbrojtje nga era dhe shiu.