OpenAI ka vendosur të mbyllë platformën e saj për gjenerimin e videove me inteligjencë artificiale, Sora, më pak se dy vite pasi u prezantua dhe tërhoqi vëmendje globale për aftësinë e tij për të krijuar video realiste nga përshkrime të thjeshta tekstuale. Paralelisht, kompania do të ndërpresë edhe partneritetin e përmbajtjes prej rreth $1 miliard me gjigantin e argëtimit The Ëalt Disney Company, sipas konfirmimeve për BBC.
OpenAI ka deklaruar se vendimi është marrë për t’u fokusuar në fusha të tjera strategjike, si zhvillimi i robotikës dhe teknologjive të “agjentëve”, të cilat synojnë që sistemet e AI të kryejnë detyra reale dhe fizike me pak mbikëqyrje njerëzore. Kompania synon të aplikojë teknologjinë e përdorur në Sora për të trajnuar robotë, ndërsa thekson se mjetet e krijimit të imazheve në ChatGPT nuk do të preken nga ky ndryshim.
Edhe pse Sora u prit me entuziazëm në vitin 2024, monetizimi i saj rezultoi i kufizuar. Të ardhurat globale neto nga aplikacioni arritën rreth $1.4 milion, shumë më pak krahasuar me miliardat që gjeneroi ChatGPT në të njëjtën periudhë. Analistët theksojnë se platforma u kthye në një barrë financiare, duke përballur gjithashtu vështirësi serioze në parandalimin e keqpërdorimeve, si krijimi i përmbajtjeve pa pëlqim, dezinformimi realist dhe shkeljet e të drejtave të autorit.
Partneriteti me Disney, i cili lejonte përdorimin e personazheve ikonike si Mickey Mouse apo Yoda, u pa fillimisht si një moment historik për marrëdhëniet mes teknologjisë dhe Hollywood. Megjithatë, shqetësimet për ndikimin e AI në industrinë e medias, presioni nga investitorët dhe konkurrenca në rritje nga platforma të tjera të gjenerimit të videove, e shtynë OpenAI të rishikojë prioritetet e saj.










