Operatorët turistik ngrenë alarmin për mbylljen e Muzeut Historik Kombëtar

Dyert e Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllen nga data 15 mars për t‘u hapur pas 4 vitesh.

Objekti simbol i trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit do te rikonstruktohet me qëllim zgjerimin e hapësirave muzeale si dhe forcimin e strukturës ekzistuese.

Për tur-operatorët, mbyllja e muzeut nuk është një lajm i mirë sidomos në një kohë kur kërkohet pasurimi i ofertës ndaj vizitorëve të huaj.

“Muzeu ishte vendi i parë që fusim në paketë turistike, tani pa muzeun, Tirana është shumë e thatë”, tha Kryetari i Shoqatës së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, Klinton Gerxhanin.

Për Gerxhanin, vendimmarrje të tilla kërkojnë koordinimin me tur-operatorët pasi cënojnë kontratat e nënshkruara me herët me partnerët jashtë vendit.

“Kemi 4 muaj që kemi planifikuar muzeun në çdo program që kemi dërguar për ofertë tek operatorët e huaj, ndaj po mendojmë tani se me çfarë vendi do ta zëvendësojmë. Muzeu mbante barrën kryesore të turizmit” u shpreh ai.

Për Gerxhanin mungesa e muzeut, i cili mbante barrën kryesore të vlerave kulturore dhe historike të vendit, vendos në vështirësi punën e tur-operatorëve, por edhe punën bashkisë në raport me vizitorët e huaj.