OST kërkoi rritje të tarifave – Kërkesa u rrëzua nga ERE, do rriste çmimin për familjarët dhe bizneset

Teksa miratoi rritjen e çmimit të energjisë për konsumin mbi 800 kwh/muaj, Enti Rregullator i Energjisë rrëzoi kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për rritjen e tarifës së transmetimit për vitin 2023 dhe për periudhën 2023 -2025.

ERE argumentoi vendimin me faktin se OST nuk është përballur me shpenzime të larta, teksa nga ana tjetër nuk ka paraqitur planin e investimeve.

Rritja e tarifës së transmetimit do të nënkuptonte rritje të mëtejshme të çmimit të energjisë, duke qenë se është pjesë përbërëse e formulës, me të cilën llogaritet çmimi, jo vetëm për klientët familjarë, por edhe për bizneset.

Tarifat aktuale u miratuan në prill të këtij viti, ndërkohë që sipas vendimit, tarifa mesatare e nga data 1 maj-31 dhjetor 2023 është 0.85 lekë/kwh, nga 0.75 lekë/kwh që ishte më herët.