Nga 1 prilli paga minimale në vend do të bëhet 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë që ishte deri tani, sipas vendimit të fundit të qeverisë, duke u rritur me 17.6%.
Rritja e pagës minimale, automatikisht çon dhe në atë të pagës maksimale. Si rrjedhojë, nga 1 Prilli, paga maksimale, që sot është 149,954 lekë, do të rritet po me 17.6%, duke arritur në 176,416 lekë.
Ky nivel i ri i pagës maksimale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës së sigurimeve shoqërore, që paguhen si nga punëdhënësi dhe nga punëmarrësi.
Sipas llogaritjeve të ekonomistëve, në total, për një individ që i paguan sigurimet për pagë maksimale, rritja e saj nga 1 prilli automatikisht do të sjellë pagesa 17.6% më të larta. Konkretisht, shuma totale e sigurimeve për pagën maksimale (që paguhet si nga punëdhënësi dhe nga punëmarrësi) do të jetë 43,222 lekë në muaj, nga 36,739 lekë në muaj, që ishte më parë, ose 6,483 lekë më shumë (nga të cilat 3,969 lekë do i paguajë punëdhënësi dhe 2,514 punëmarrësi), shiko tabelën në fund.
Rritja e vazhdueshme e pagës minimale, e shoqëruar me atë të pagës maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore në fakt ka shtuar barrën fiskale te punonjësit me paga relativisht të larta, të cilët penalizohen edhe nga tatimi i lartë i pagës prej 23% mbi kufirin e 200 mijë lekëve (ky kufi u rrit nga 150 në 200 mijë lekë në prill të vitit të kaluar).
Ndërsa vitin e kaluar efekti i zgjerimit dy herë së pagës maksimale u kompensua disi nga rritja e kufirit të pagës që tatohet 23%, këtë vit rritja e pagës maksimale është kosto e shtuar, si për punëdhënësin, ashtu dhe për punëmarrësin.










