Kosovë/ Kosova ende me probleme thelbësore, sindikatat protestojnë më 8 prill në Prishtinë. Paga minimale 400 euro

Më 8 prill në rrugët e Prishtinës do të ketë protesta. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka treguar se kjo protestë do të mbahet për të kërkuar nga Qeveria realizimi i gjashtë kërkesave.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka vendosur që të protestojë më 8 prill para Qeverisë së Kosovës.

Ky vendim është marr pas takimit Konsultativ të Federatës Sindikale anëtare të Bashkimit Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Në Takim u caktua këshilli organizativ i cili do të përkujdeset për zhvillimin e qetë të Protestës e cila do të nisë me marshin prej Bibliotekës Kombëtare e deri te Sheshi “Skënderbe” ku para ndërtesës së Qeverisë, Partnerit Social do t’i parashtrohen publikisht kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”.

BSPK njofton se ekzekutivit do t’i parashtrohen publikisht gjashtë kërkesa.

  1. 100€ nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme
  2. Përcaktimi i Pagës Minimale
  3. Miratimi i Ligjit për Paga
  4. Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.
  5. Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse
  6. Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, Pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999.

BSPK-ja po ashtu ka ftuar Qeverinë që do të merret seriozisht me “kërkesat e arsyeshme të punëtorëve”.

Po ashtu edhe Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm publikë kanë paralajmëruar protesta dhe greva si formë presioni për miratimin sa më të shpejtë të projektligjit të pagave.

Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-ës – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend.

Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro. Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri. Ndërrimi i shpeshtë i qeverive e ka lënë çështjen e Ligjit për pagat në margjinat e interesimit të pushtetit ekzekutiv.

Po ashtu, me gjithë rritjen e inflacionit, paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar – edhe atë qysh në vitin 2011.

Vlera e kësaj page është 170 euro – sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, më e ulëta në Evropë.

Inflacioni, në anën tjetër, ka arritur në 7.5 për qind muajin e kaluar, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në shkurt të vitit 2021.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat.

Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë.

Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro. Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.