Paketa fiskale 2022 heq kompensimin 6% te TVSH-se te prodhuesit, ve takse per qumeshtin pluhur; Perpunuesit e qumeshtit: Ndryshimet jane rrenuese, do rrisin çmimet

Në paketën fiskale 2022 priten 3 ndryshime të taksave me efekt në rritjen e kostos për industrinë e përpunimit të qumështit.

Në paketën e re fiskale që iu është dërguar për konsultim grupeve të interesit qeveria parashikon heqjen e TVSH-së të rimbursueshme për blerjet nga 6% që është aktualisht, vendosjen e taksës 100 lekë për kilogram për qumështin pluhur të importit dhe përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Ndryshimet fiskale janë pritur me shqetësim nga industria e përpunimit të qumështit që prej 3 vitesh vuan shtimin e kostove nga ndryshimet e skemës të rimbursueshme të TVSH-së. Industrialistët pohojnë se nëse ndryshimet do të miratohen do të shkaktojnë shumë dëme për prodhimin e produkteve të bulmetit dhe pritet të ndikojnë te rritja e çmimeve të tyre deri me 30%.

Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”

Në projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar propozohet që norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0 % nga 6% që është aktualisht dhe të zëvendësohet me skema subvencionimi. Prej vitit 2019, TVSH-ja që kompensohet në blerje është 6% nga 20% që ishte para ndryshimit. Me nisjen e zbatimit të skemës të ndryshuar të TVSH-së nga 2019 vështirësitë në aktivitetin e përpunuesve të qumështit janë rritur nga viti në vit. Për shkak të ndryshimeve fiskale të 3 viteve më parë në tregje vihet re rritje e produkteve të importuara, që konkurrojnë nga çmimi produktet vendase. Në kahun tjetër shumë fabrika nuk kanë arritur të mbijetojnë, pasi ndryshimi i TVSH-së ka shtuar informalitetin.

Në relacionin e draftit thuhet se heqja e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë dhe zëvendësimin e saj me subvencionim direkt të sektorit të bujqësisë, procedurë që është më e lehtë për tu monitoruar dhe kontrolluar nga pikëpamja fiskale është rekomanduar Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Me anë të këtij projektligji, propozohet që, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0 për qind nga 6 për qind që është aktualisht. Kjo, pasi edhe nga zbatimi në praktikë i deritanishëm, mendohet se nga skema e kompensimit, prodhuesit bujqësorë objekt të kësaj skeme, nuk kanë marrë kompensimin sikundër është parashikuar dhe ka synuar kjo skemë, duke e bërë këtë të fundit jo funksionale”, citohet në relacion.

Një tjetër ndryshim fiskal i cili pritet të shtojë sërish kostot e industrisë është ai në Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave do të jetë për investimet me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.