Ashtu siç ishte përfolur, qeveria do të ketë një paketë të dytë mbështetëse për krizën energjetike dhe rritjen e kostove të jetesës. Kjo paketë do të prezantohet të mërkurën dhe kryefjala do të jetë mbështetja e sektorit energjetik dhe e shtresave në nevojë.
Qeveria do të shpallë paketa subvencionuese për iniciativat private të bizneseve dhe familjeve që duan të instalojnë impiante fotovoltaike. Gjithashtu do të prezantohet fasha 800kW/h deri në të cilin qeveria do kompensojë familjet dhe bizneset e vogla me çmimin 9.5 lekë. Mbi këtë fashë do të paguhet një çmim më i shtrenjtë. Gjithashtu qeveria do prezantojë urdhra administrativë për administratën publike për kursimin e energjisë. Kjo do të shërbejë edhe si një shembull për familjet shqiptare.
Gjatë rishikimit të buxhetit gjatë muajve të verës qeveria ka alokuar fonde edhe për vazhdimin e mbështetjes së shtresave në nevojë. Siç është deklaruar edhe nga ministrja e financave pritet të vazhdojë bonusi për rreth 520 mijë pensionistë dhe subvencioni për transportin publik. Por, për pensionistët masa e kompensimit nuk është e mjaftueshme, ndërsa rreth 100 mijë prej tyre duan të përfshihen në paketën e radhës:
Ndërsa paketa e parë përfundoi në korrik, qeveria gjatë verës bëri rishikimin buxhetit. Deri në korrik buxheti mblodhi 375 milionë euro më shumë të ardhura se viti i kaluar, por vetëm 102 milion euro janë alokuar për mbështetjen e shtresave në nevojë dhe transportin publik.
Një pjesë të madhe të buxhetit po e “gërryen” edhe blerja e shtrenjtë e energjisë elektrike ku qeveria ka caktuar rreth 240 milionë euro për ta mbajtur çmimin e pandryshuar për familjet dhe bizneset e vogla.