Parku kombëtar detar Karaburun-Sazan, një pasuri e rrallë e Shqipërisë

Dhjetë vite më parë Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan u shpall parku detar kombëtar i vetëm i Shqipërisë. Parku mbulon një sipërfaqe detare që shtrihet 1.9 km përgjatë bregdetit të gadishullit të Karaburunit dhe Sazanit afër Gjirit të Vlorës, është 16 kilometra i gjatë, dhe mbulon një sipërfaqe prej gjithsej 12,428 ha.

Gadishulli i Karaburunit në vetvete është një Rezervë Natyrore ndërsa ishulli i Sazanit është një zonë ushtarake në Shqipëri. Në korrik 2015, ishulli i Sazanit u hap për publikun nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Aty jetojnë 36 lloje specie detare me rëndësi ndërkombëtare, pjesë e listës së llojeve të rrezikuara. Parku është korridor i rëndësishëm i specieve si Breshka e detit, Foka e Mesdheut, Delfinë, Peshkaqenë. Ruajtja e habitatit të parkut është objektiv i punës së Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Me mbështetjen e UNDP është ngritur Qendra e ndihmës së parë për breshkat detare dhe 2 vitet e fundit janë trajtuar 14 breshka detare. Kjo qendër ndodhet pranë Qendrës së Vizitorëve të parkut detar në Radhimë.

Në bashkëpunim me shoqatën “Peshkatarët e Përgjegjshëm” është institucionalizuar protokolli për evidentimin dhe trajtimin e rasteve të breshkave detare në këtë zonë. Foka e Mesdheut është një specie emblematike e parkut e cila është rishfaqur së fundmi. Ndërsa delfinët në brendësi të gjirit po kthehen në shoqërues të zakonshëm të komunitetit dhe vizitorëve të parkut. Po vërehen gjithnjë e më shumë lloje të rralla speciesh detare falë uljes së ndikimeve negative në Parkun Detar dhe ndërgjegjësimit të konunitetit. Deti nuk është një burim i pashtershëm dhe ne duhet të mbrojmë burimet unike natyrore.