Parqet Teknologjike, “parajsa” pa TVSH e tatim-fitimit, Qeveria nxjerr projektligjin për konsultim publik

Për shumë vite vendi ynë e ka bazuar zhvillimin ekonomik në burime natyrore, orientim që në terma afatgjata, sipas Qeverisë, duhet të ndryshojë dhe të drejtohet nga burimet njerëzore. Këshu e argumenton Këshilli i Ministrave nevojën për hartimin e Projektligjit për Parqet Teknologjike dhe Shkencore, i sapo hedhur për konsultim publik.

Një hapësirë e tillë, sipas relacionit shoqërues të Projektligjit, ka potencialin të bëhet një qendër jetike për kërkimin, zhvillimin dhe edukimin, me laboratorë dhe ambiente trajnimi, duke ofruar akomodim për fillimin dhe zgjerimin e bizneseve të reja.

Ato do të licencohen dhe mbikqyren nga Agjencia e Zonave të Teknologjisë dhe Zhillimit Ekonomik dhe Parqeve Teknologjike dhe Shkencore (“Agjencia”), një institucion publik buxhetor në varësinë e Ministrisë përgjegjëse për ekonominë.

Aktivitetet e lejuara në Parqe janë aktivitete kërkim-zhvillimi, ndërkohë që do ndalohet prodhimi në seri i produkteve apo shërbimeve potenciale.

Ndërkohë që favorizime të shumta do t’u ofrohen subjekteve që do pranojnë të investojnë në Parqet Teknologjike.

Zhvilluesi do kenë të drejtë të marrin në përdorim truallin shtetëror ose pasuritë e tjera të paluajtshme të destinuara për Parkun, për një periudhë kohore me enfiteozë ose qira afatgjatë, minimalisht 20  (njëzet) vite, me të drejtë rinovimi, dhe do gëzojë të drejtën e dhënies me nënqira tek Përdoruesit, një një kohë që Shteti merr përsipër të ndërtojë infrastrukturën e përgjithshme deri në kufijtë e Parkut.

Ndërkohë që zhvilluesit apo përdoruesit do përfitojnë edhe një seri lehtësish fiskale. Parqet do të konsiderohen si zona të lira doganore, mallrat që hyjnë në parqe do konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë 0 (zero), nuk do paguajnë për 15 vite tatimfitim për pagat, por edhe për ato të ardhura që gjenerohen nga aktivitetet të cilat zhvillohen në Park si dhe nga tatimfitimi. Gjithashtu ato do të përjashtohen nga TVSH mallrat, pajisjet, dhe shërbimet e përdorura ndërmjet përdoruesve brenda në Park.