Meta duket se po përgatit një alternativë më pak invazive në tregun e syzeve inteligjente. Sipas raportimeve të The Information, kompania po zhvillon një model të ri të quajtur Luna, i cili do të heqë dorë nga kamerat e integruara, por do të ruajë funksionet e inteligjencës artificiale.
Ndryshe nga syzet aktuale të Meta-s, Luna nuk do të ketë kamera për fotografi apo video. Në vend të tyre, pajisja do të fokusohet te komunikimi zanor me chatbot-in AI të kompanisë dhe me Muse, agjentin e saj të inteligjencës artificiale për konsumatorët.
Syzet pritet të pajisen me gjashtë mikrofona të integruar, përmes të cilëve përdoruesit mund të komunikojnë me AI-n. Në njërën anë do të ketë gjithashtu një buton fizik, shtypja e të cilit do të aktivizojë sistemin e inteligjencës artificiale.

Luna mund të prezantohet që në Meta Connect, eventi vjetor i kompanisë për hardware dhe zhvillues, që zhvillohet javën e ardhshme në Menlo Park. Meta, megjithatë, nuk ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e pajisjes.
Syzet smart kanë fituar terren vitet e fundit, me Meta-n ndër kompanitë kryesore të këtij tregu. Megjithatë, privatësia mbetet një prej shqetësimeve kryesore, sidomos për modelet me kamera. Në të njëjtën kohë, kostoja dhe përdorimi praktik vazhdojnë të jenë pengesa për adoptimin masiv.
Prezantimi i Luna-s mund të jetë një përpjekje për ta bërë këtë kategori më pak kontroverse, duke ruajtur fokusin te AI dhe komandat zanore.










