Pensionistët që punojnë marrin 0.5% shtesë çdo muaj

Shtesë 0.5 për qind në muaj, ose 6 për qind për çdo vit pune përfitojnë të gjithë ata pensionistë të cilët vijojnë që të jenë pjesë e tregut të punës.

Kushti i vetëm që duhet të përmbushin është që gjatë kohës që janë në marrëdhënie pune duhet të tërheqin vetëm pagën dhe në momentin e shkëputjes së kontratës aplikohet edhe shtesa.

Kjo kategori, nuk është e përjashtuar nga kontributet. Të vetmit që nuk paguajnë sigurime janë të vetëpunësuarit.

Janë rreth 17 mijë të moshuar të cilët edhe pse kanë mbushur moshën e daljes në pension vijojnë që të punojnë.

Prej janarit të këtij viti, mosha e daljes në pension për burrat vijon të jetë 65 vjeç, ndërsa për gratë është rritur me 2 muaj, përkatësisht është 61 vjeç e 8 muaj.

Veç kësaj ka ndryshuar edhe portofoli i sigurimeve. Kështu për të përfituar pension të plotë pleqërie duhet që ata të cilët dalin rrishtazi në pension të kenë jo më pak se 38 vite e 4 muaj.