Përfitues mbi 4 mijë bletarë nga Skema Kombëtare

Qeveria po zgjeron mbështetjen me fonde nga Skema Kombëtare për bletarinë, teksa mbarështimi i bletëve po shndërrohet në tendencë në të gjithë vendin, si një biznes me përfitime të konsiderueshme.

Federata Kombëtare e Bletërritësve të Shqipërisë mblodhi në Pukë, bletarë nga e gjithë vendi. Me të ftuar nga rajoni, u promovuan nëpërmjet disa aktiviteteve, rëndësia e bletëve, sidomos në polenizimin e kulturave bujqësore dhe jo vetëm.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, bën të ditur se, kultivimi i bletëve dhe prodhimi i mjaltit ka marrë hov vitet e fundit, ku falë mbështetjes kanë përfituar plot 4,358 bletarë, duke arritur në kuotën e prodhimit të 4,599 tonë mjaltë për vitin 2020 dhe 358,365 koshere të shpërndara nëpër të gjithë vendin.

“Ky sektor i rëndësishëm do të vazhdojë të jetë në vëmendjen e qeverisë dhe do të nxitet më tej në përfshirjen e të rinjve dhe grave”- shprehet Ekonomi.

“Edhe sivjet ne po subvencionojmë nga Skema Kombëtare sektorin e bletarisë, si një nga sektorët më të rëndësishëm, jo vetëm për faktin se mjalti është një produkt kaq i domosdoshëm për njeriun, por bleta shkencërisht është nga qeniet më të rëndësishme rruzullin tokësor”- tha Ekonomi.

Një zhvillim tjetër pozitiv për sektorin e bletarisë në vend është hapja e eksportit me Kinën. Që është një mundësi e madhe për bletërritësit shqiptarë, që do të rrisin prodhimit vendas dhe të ardhurat në ekonominë e tyre familjare.