Përse marketojmë ndryshe te “të huajt”?

Dy dekada më parë, sigurisht na bënte shumë përshtypje çdo produkt apo shërbim i cili “na vinte nga jashtë” dhe përpos kuriozitetit që rrjedhimisht ishte pasojë e izolimit totalitar, nuk jam shumë e sigurtë nëse ne shqiptarët, në periudhën pas viteve ‘90 do të mund të etikoheshim si konsumatorët me një tendencë “ksenocentriste”?!

Dy dekada më pas, sërish kam dyshimet e mia se ende mund të kemi nuanca të tilla në sjelljen konsumatore, ndonëse besoj se si popull jemi të prirur edhe drejt kosmopolitanizmit.

Të huajt i marketojmë ndryshe.

Më pëlqen që edhe në vendin tonë të vogël, ekziston një komunitet multi-kulturor, i cili na jep mundësinë e të përfituarit nga të gjitha avantazhet që sjell për shoqërinë, ndaj për të evituar çdo keqkuptim të mundshëm dua të theksoj, se i referohem vetëm mënyrës dhe strategjisë së marketingut në lidhje me fenomenin në fjalë.

Më ka ndodhur kaq shpesh të shoh se si promovohen të huajt, qofshin ata në fushën e mjekësisë, apo estetikës, sipërmarrjes, kulinarisë etj. Ka shumë nota superlative për një Expat në një profesion të caktuar, shumë më shumë nëse do më duhet t’i krahasoja me të njëjtin shërbim të ofruar nga një shqiptar në po të njëtin profesion.

Cilët mund të jenë faktorët që ndikojnë në këtë qasje?

Skepticizmi që na karakterizon, se ende sot në 2021 ndoshta ne nuk besojmë se mund të na ofrohen produkte lokale me po të njëjtën cilësi, apo shërbime të ndryshme që mund t’i marrim nga bashkë-kombasit tanë?!

Pse rendim pas të huajve?

Në terma psikologjike, ksenocentrizmi konsiderohet një formë e sjelljes devijante dhe ky aspekt psiko-social normalisht do ketë edhe efektin e tij në aspektin e komunikimit, marketingut dhe shitjes. Shembujt që më bënë të reflekoj në lidhje me këtë fenomen, janë spitalet private, të cilat promovojnë shërbimet mjekësore duke sjellë në vëmendje kombësinë e mjekut, pa vendosur as një bio, apo pa përmendur identitetin apo kurikulumin e tij personal, i cili vlen jashtëzakonisht shumë më shumë se kombësia.

Ndoshta kjo është një strategji për ta bërë më tërheqës postimin, për të bërë kurioze audiencën, por në gjykimin tim personal vë re nuanca ksenocentrizmi, sidomos në kohë të tilla, ku pavarësisht skandaleve, mangësive në shërbimin shëndetësor, Shqipëria jonë e vogël po ndërton rrugën e saj drejt turizmit mjekësor.

Duke qenë se jetojmë në kohërat ku marketingu nuk është më vetëm traditional, tashmë mundësitë për t’u orientuar si konsumatorë janë me dhjetëra. Pra, le të marrim kohën për të reflektuar se nuk kemi pse paguajmë më shumë për të njejtin shërbim, se kjo lloj qasje karshi të huajve me kalimin e viteve do thellohet dhe do ndikojë thellësisht në kulturën tonë, të cilën apriori do ta trashëgojmë.