Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka pezulluar aktivitetin e 13 autoshkollave për një afat të pacaktuar.
DPSHTRR ka pezulluar aktivitetin edhe për 10 autoshkolla të tjera për 30 ditë, pasi kanë pasur parregullsi.
Njoftimi i DPSHTRR:
DPSHTRR, në vijim edhe të angazhimit për mbrojtjen dhe standardizimin e tregut të Autoshkollave, bazuar në programin vjetor të DPSHTRR-së për mbikqyrjen e sektorit të Leje Drejtimit, pas ushtrimit të kontrollit në subjekte autoshkolle, prezanton rezultatin e Kontrollit Tekniko – Administrativ:
– 13 Autoshkolla pezullim aktiviteti! 10 pezullime 1-mujore aktiviteti!
– 3 propozime për heqje License Autoshkolle pranë QKB!
– Propozim për largim nga detyra për 1 Përgjegjës Sektori Leje Drejtimi, Tiranë!
– Ndalim Ushtrim Profesioni për 2 Instruktorë Autoshkolle!
– Masë e rëndë disiplinore për 1 Specialist Regjistrimi Mjeti, Tiranë, për shkelje në lëshimin e Lejes së Qarkullimit për 1 mjet Autoshkollë!
Rezultatet e vijimit të Kontrollit të ushtruar nga DPSHTRR në 70 subjekte autoshkolla në Qarkun Tiranë, për muajt Prill-Maj 2023, ku u konstatuan 66 subjekte me 185 raste mangësish, nga të cilat 53 subjekte korrigjuan pozicionin e tyre para ligjit brenda afateve; u kontrolluan 270 mjete Autoshkollë nga të cilat 68 u gjetën me parregullsi!
Mangësitë kryesore:
- Orare të pa afishuara;
- Rregullore të pa përditesuara;
- Tabela keqinformuese! Autoshkolla reklamon për kategori Leje Drejtimi që nuk është e licensuar si aktivitet;
- Regjistrat teori/praktikë të pa azhurnuara;
- Amza e pa protokolluar pranë DRSHTRR-ve;
- Klasa të pa pajisura me kompjutera sipas kritereve;
- Tabelat e mjetit autoshkollë jashtë standardi;
- Ambjenti jo i rregullt/jofunksional;
- Autorizime mjeti dhe instruktorësh të skaduara;
- Parregullsi teknike në mjete.
DPSHTRR, në vijim të angazhimit për mbrojtjen dhe standardizimin e tregut të Autoshkollave, garanton se asnjë subjekt nuk do të lejohet të operojë në shkelje apo në kundërshtim me ligjin!
Iu dërgua Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve lista e çdo punonjësi të evidentuar, për verifikim sigurimesh shoqërore, dhe numri i regjistrimeve, për kontroll anti-evazion, për të gjitha Autoshkollat aktive në rang vendi (341 subjekte aktualisht)!
Po ashtu, iu dërguan Autoritetit të Konkurrencës, në kuadër të angazhimit për monitorimin në terren të tregut të Autoshkollave, të dhënat e çdo subjekti që ushtron aktivitet!
DPSHTRR u bën thirrje të gjithë kursantëve në autoshkolla:
Mos lejo që autoshkolla t’ju realizojë më pak seanca në kohë më të shkurtër nga sa parashikon ligji! Mos u bëj palë në spekullim, në kurriz të kryerjes së kursit të plotë! DENONCO pa hezitim çdo anomali: https://www.dpshtrr.al/denonco-autoshkolla-abuzive/