Policia Kufitare prej disa ditësh po ushtron kontrolle në zonat bregdetare por dhe në liqenin e Komanit për mjetet lundruese që lëvizin pa dokumente. Në Dhërmi, Palasë, Durrës dhe Shëngjin janë bllokuar 4 Jet Ski që lundronin në zonën e përcaktuar për pushuesit. Drejtuesit e tyre u gjobiten me nga 100 000 lekë.
Gjithashtu në Dhërmi, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar me gjobë 20 000 lekë pronarin e një skafi që kishte dokumentacion për të dalë në det. Ndërkaq, në Radhimë u gjobit me 100 000 lekë pronari I një gomoneje pasi ishte bregëzuar në zonë të ndaluar, pranë vijës bregdetare të plazhit. Në liqenin e Komanit janë bllokuar 5 varka artizanale dhe janë ndëshkuar administratorët e tyre me gjobë 10 000 lekë secili.
Paralelisht policia vijon kontrollet dhe në lokalet e bregdetit për muzikën e lartë pas mesnate. Kështu mbrëmjen e së shtunës dy lokale në Dhërmi dhe një tek Uji i Ftohtë në Vlorë janë mbyllur dhe ka nisur hetimi për 6 menaxhere dhe muzikantë, nën akuzë për prishjen e qetësisë publike.