Rreth 60,7 milionë qytetarë votuan të dielën në Turqi, kurse jashtë vendit u regjistruan 3,4 milionë votues. Çdo votues hodhi dy vota, një për Presidentin dhe tjetra për parlamentarët, të cilët do të shërbejnë për një tjetër mandat pesëvjeçar.
Megjithatë, kur janë numëruar 97,95% e totalit të votave, po shkohet drejt balotazhit, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk ka arritur të kalojë pragun 50%.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka marrë deri tani 49,34% të votave. Ai ndiqet nga rivali i tij kryesor, Kemal Kılıçdaroğlu, me 44.99 për qind të votave. Më pas vjen Sinan Oğan me 5.24 për qind, i ndjekur nga Muharrem Ince me 0.43 për qind të votave.
Lideri i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, u shpreh i sigurt se vendi do të shkojë në balotazh, aty ku ai do të fitojë. “Ne do t’i fitojmë këto zgjedhje në raundin e dytë. Populli i Turqisë nuk e besoi Erdoganin. Dëshira për të ndryshuar ekziston në më shumë se 50% e popullit në Turqi”, tha ai.