Nga fundi i korrikut, lexuesja e lajmeve të portalit Dan, çdo ditë pune, është një prezantuese virtuale e quajtur Ana AI.
Ajo s’ka mbiemër. Ajo duket e bukur, ka diksion korrekt dhe nuk shfaq pasiguri.
Redaktori i portalit Dan, Mili Preleviq, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se gazetarët e shkruajnë lajmin dhe më pas Ana AI e lexon atë.
Projekti, i pari i këtij lloji në Mal të Zi, u krye duke përdorur inteligjencën artificiale gjeneruese (AI), teknologji që mund të prodhojë lloje të ndryshme të përmbajtjes, duke përfshirë tekst, imazhe, audio dhe të dhëna sintetike.
Përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetari ngre pyetje të shumta, kryesisht në fushën e përdorimit etik.
Mihailo Backoviq, ekspert në inteligjencën artificiale, thotë se AI është një mjet i dobishëm për produktivitet, por i rrezikshëm nëse e gjen veten në duart e dikujt që synon të prodhojë propagandë në sasi të mëdha.
“Përdorimi i AI në vetvete nuk është problematik, përderisa politika editoriale e mediave zbaton standarde të larta etike dhe nuk lejon abuzimin e këtyre teknologjive”, tha Backoviq.
Sipas tij, është e nevojshme që një person të verifikojë gjithmonë përmbajtjen dhe të ketë fjalën e fundit kur e publikon.
Në Bashkimin Evropian, i cili ka avancuar më së shumti në këtë çështje, aktualisht është duke u përgatitur Akti i UA-së, gjegjësisht Ligji për Inteligjencën Artificiale.
Pritet që ai të mund të miratohet deri në fund të vitit, duke e bërë atë ligjin e parë të madh që rregullon inteligjencën artificiale në botë.