Prishja e ndërtimeve pa leje, Strasburgu vendos standardin: Regjistrimi në Kadastër nuk garanton dëmshpërblim


Një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mund të shërbejë si pikë reference për rastet e prishjes së ndërtimeve pa leje apo të objekteve të ngritura përtej kushteve të lejes së ndërtimit.

Çështja lidhet me shtetasin shqiptar A. Koboçi, i cili iu drejtua Gjykatës së Strasburgut pasi një pronë që kishte blerë dhe regjistruar në vitin 2003 ishte shembur nga autoritetet shqiptare, pa i dhënë dëmshpërblim.

GJEDNJ pranoi se Koboçi kishte një “pasuri” të mbrojtur nga Konventa, por bëri një dallim të rëndësishëm mes regjistrimit të pronës dhe ligjshmërisë së ndërtimit.

Sipas çështjes, leja fillestare parashikonte ndërtimin e një objekti të përkohshëm njëkatësh për një aktivitet të vogël tregtar. Ndërkohë, objekti që u shemb ishte një ndërtesë katërkatëshe prej betoni, të cilën gjykatat shqiptare e kishin konsideruar si ndërtim të ri të paligjshëm.

Strasburgu vlerësoi se prishja e një ndërtimi të paligjshëm mund të justifikohet nga interesi publik, për sa kohë ndërhyrja parashikohet nga ligji dhe është proporcionale. Në rastin e Koboçit, GJEDNJ arriti në përfundimin se shembja nuk i kishte vendosur atij një barrë të tepruar.

Vendimi sjell një standard të rëndësishëm edhe për raste të tjera në Shqipëri. Fakti që një objekt është blerë me kontratë dhe figuron i regjistruar në Kadastër nuk do të thotë automatikisht se ndërtimi është i ligjshëm dhe as se pronari fiton vetvetiu të drejtën për dëmshpërblim nga shteti në rast prishjeje.

Në rastet kur pronari e mbështet pretendimin për kompensim vetëm te kontrata e blerjes apo regjistrimi i pasurisë, gjykatat mund të marrin në konsideratë edhe ligjshmërinë e vetë ndërtimit dhe respektimin e kushteve të lejes.

GJEDNJ vuri në dukje gjithashtu se Koboçi kishte mundësi të kërkonte dëmshpërblim nga personi që i kishte shitur pronën dhe që mbante përgjegjësi për ndërtimin e paligjshëm.

Për këto arsye, kërkesa e tij u shpall e papranueshme.

Megjithatë, vendimi nuk nënkupton se çdo objekt i regjistruar në Kadastër mund të prishet automatikisht pa kompensim. Ai nënvizon se, në vlerësimin e pretendimeve për dëmshpërblim, rëndësi ka edhe nëse objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e dhënë dhe me legjislacionin në fuqi.



Burimi Monitor.al