Prodhimi kombëtar i peshkut i pamjaftueshëm, përcaktohen 18 zona për akuakulturën

Pavarësisht se Shqipëria është një vend me vijë të gjatë bregdetare dhe akuakultura është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit, sërish konsumi i peshkut nga qytetarët shqiptarë është nivele shumë të ulëta.  Referuar statistikave të Organizatës Kombëtare të Ushqimit (FAO), konsumi i dukshëm vjetor për frymë i peshkut dhe produkteve të peshkimit është ende i ulët në Shqipëri  dhe vlerësohet mesatarisht 8.6 kg për frymë,  krahasuar me të gjithë Evropën e cila është në nivelet 21.5 kg për frymë.

Konsumi i ulët i produkteve të detit, përtej faktit që në vendin tonë është çështje kulture, dhe përdorimi është më i lartë në zonat bregdetare, lidhet edhe me prodhimin e ulët në këtë sektor, i cili vjen për shkaqe të shumta, siç është mungesa e një flotës detare të zhvilluar, peshkimi amator, etj. Pavarësisht nga rritja e prodhimit të akuakulturës gjatë viteve të fundit, bilanci tregtar neto për Shqipërinë mbetet në favor të importit. Shqipëria është një importuese neto e produkteve të peshkimit për të përmbushur kërkesën e brendshme.

Prodhimi kombëtar i aktivitetit të peshkimit varion midis 7,800 dhe 8,600 ton në vit me një vlerë në hallkën e parë të shitjes prej rreth 23.5 milionë dollarë. Sidoqoftë, ky prodhim nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën kombëtare, dhe për pasojë Shqipëria importon produkte detare të akuakulturës, kryesisht kocë dhe levrek. Me rënien e nivelit të prodhimit vendas nga aktiviteti i peshkimit, zhvillimi i mëtejshëm i akuakulturës duket si mënyra e vetme për të siguruar një prodhim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm të produkteve të peshkimit në Shqipëri.

Për këtë qëllim, është hedhur për konsultim publik dokumentin udhëzues të politikave për planifikimin e Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë (ZPA) në Shqipëri, në vijën bregdetare Shëngjin, Durrës, Vlorë, Sarandë, për kultivimin e peshkut dhe molusqeve. Për të dyja kategoritë janë identifikuar 18 zona, dhe synohet që të ketë një prodhim total vjetor prej 63 mijë ton peshk.