Produktet tradicionale impakt në nxitjen e agroturizmit dhe eksporteve
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po krijon hartën e prodhimeve tradicionale shqiptare, e cila ka fuqi ligjore në aspektin e “specialitetit tradicional të garantuar”, me impakt në rritjen e agroturizmit dhe eksporteve bujqësore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, bën të ditur se, djathi i zier i Hotit, qepa e Drishtit, qepa e kuqe e Dishnicës, fasulet pllaqi të Hoçishtit, djathi i dhisë Bulaç, djathi i deles i Kalasë së Dodës, lakra e Postribës dhe ulliri Kalinjot, janë vetëm disa nga produktet tradicionale të cilat po identifikohen me mbështetjen edhe të programit SRD / GIZ Albania.
Sipas Ekonomit, identifikimi i produkteve tradicionale po bëhet në rajone: Dibër, Korçë, Vlorë, Shkodër, Përmet e Tiranë sipas legjislacionit përkatës përpiluar dhe miratuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Pas identifikimit, grupet e prodhuesve që do të regjistrohen, do të mbështeten me certifikimin përkatës të treguesit gjeografik, apo produktit të origjinës.
Harta do të përfshijë të gjitha qarqet dhe rajonet e tyre nga jugu në Veri të vendit për të gjitha varietetet vendase të kultivimit të rrushit, kumbullës, shegës, ullirit, arrave, lajthive, mollëve etj. Për të gjitha prodhimet autoktone si djathi, turshia, jufkat, vera, mjalti, oshafi, vaji i ullirit, glikoja etj. Në hartë janë përfshirë racat e dhisë si ajo e Hasit, dele, troftë, krapi, etj.
Gjithashtu përfshihen perimet dhe zarzavatet, ku spikasin disa lloje vendase si patatja e Shishtavecit, domatja “zemërkau”, lakra dhe preshi i Kasharit.
Harta e produkteve tradicionale zgjerohet edhe në drejtim të bimësisë së egër, ku spikasin boronica, gështenja, thana. Disa gatime tradicionale janë përfshirë gjithashtu, të tilla si, fërliku, byreku me qumësht, fërgesa, flija, mishi i thatë dhe maza e zier, aparashi, tava e krapit, qullmishi etj.
Ky proces synon të evidentojë të mbrojë dhe të rrisë vlerën e prodhimeve tradicionale autentike STG “Specialitet Tradicional i Garantuar”, pjesë e së cilës është edhe harta e prodhimeve tradicionale shqiptare.