Ministria e Mbrojtjes parashikon që radarin në Sazan ta furnizojë me energji nga instalimi i një impianti fotovoltaik. Të paktën ky është objekti i një kontratë për një procedurë prokurimi të çelur në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Sipas dokumenteve tenderi “Ndërtimi i sistemit autonom me panele diellore (PRT dhe Vend Bazimi Sazan, prona 915)” ka si qëllim hartimin e infrastrukturës së furnizimit me energji elektrike gjatë ditës nëpërmjet shfrytëzimit të energjisë diellore.
“Projekti fotovoltaik i cili do të instalohet në tarracat e godinave me anë të strukturave b/a dhe konstruksioneve metalike në Sazan në kontekstin e prodhimin e energjisë nga burime alternative për furnizimin e radarit të Sazanit.
Projekti, është i pabërë nga: Projekti i piketimit dhe planifikimi; Ndërtimi i strukturave b/a dhe metalike; Projekti i shtrirjes së kanalinave dhe linjave elektrike; Ndërtimi i Paneleve elektrike dhe Inverterave; Vendosja e baterive litium; Vendosja e paneleve diellore; Testim kolaudim” thuhet në dokument.
Në dokumente specifikohet se aktualisht konsumi mesatar i energjisë elektrike tek Radari është 5-7 kwh. Pozicioni dhe vendndodhja e godinave e bën një zonë shumë të favorshme për vendosjen e paneleve diellore. Tarracat e godinave janë aktualisht të lira dhe të pa shfrytëzuara. Sipërfaqja totale e godinave ka hapësirë të mjaftueshme për mbulimin me panele diellore për nevojat e tyre vetjake.
Sipas Ministrisë ky projekt ka avantazhe ku së pari pozicioni gjeografik i zonës së Sazanit e bën një zonë shumë të favorshme për të shfrytëzuar ditët e shumta me diell për prodhimin e energjisë elektrike me një kosto shumë të ulët nga panelet diellore.
“ Gjithashtu terreni shumë i favorshme dhe me hapësira të mëdha të shfrytëzueshme bën të mundur prodhim energjie me një rendiment shumë të lartë. Emetimi i gazrave në hapësirë nga prodhimi i energjisë me anë të paneleve diellore është shumë i vogël. Jetëgjatësia e madhe mbi 25 vjet e paneleve dhe nevoja shumë e vogël për mirëmbajtjen e bën këtë projekt shumë eficent dhe me leverdi” thuhet në dokument.
Punimet për këtë projekt parashikohet të zgjasin me 5-7 javë. Fondi limit për këtë procedurë është llogaritur në 14.2 milionë lekë.