Pronari i One Albania nën hetim në Hungari: Në fokus një kontratë prej 3.1 miliardë eurosh


Qeveria hungareze ka urdhëruar një shqyrtim të plotë të marrëdhënieve mes shtetit dhe grupit 4iG, kompanisë që zotëron One Albania në Shqipëri.

Vendimi, i miratuar nga qeveria hungareze dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare me numrin 1262/2026, parashikon një auditim të marrëdhënieve pronësore, financiare, ekonomike dhe kontraktuale mes shtetit hungarez dhe 4iG, si dhe kompanive që janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të grupit.

Kryeministri hungarez, Péter Magyar, u ka kërkuar katër ministrave të raportojnë publikisht mbi rezultatet e shqyrtimeve pasi ato të përfundojnë.

Bëhet fjalë për ministrin e Ekonomisë dhe Energjisë, István Kapitány, ministrin e Mbrojtjes, Romulusz Ruszin-Szendi, ministrin e Financave, András Kármán, dhe ministrin e Shkencës dhe Teknologjisë, Zoltán Tanács.

Në vendim theksohet se, deri në përfundimin e shqyrtimeve, nuk mund të nxirret asnjë përfundim lidhur me rezultatet e auditimit.

Kontrata 3.1 miliardë euro në qendër të vëmendjes

Një nga çështjet kryesore që pritet të shqyrtohet është një kontratë 10-vjeçare në vlerën 3.1 miliardë euro, e lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes së Hungarisë dhe 4iG, vetëm disa javë para zgjedhjeve që sollën ndryshimin e qeverisë në vend.

Marrëveshja shkaktoi polemika, pasi ekzistenca dhe detajet e saj nuk ishin bërë gjerësisht të njohura. Përveç kësaj, mes palëve është në fuqi edhe një tjetër kontratë në fushën e mbrojtjes, me vlerë rreth 1,500 miliardë forintë, e vlefshme deri në vitin 2030.

Megjithatë, shqyrtimi qeveritar mund të shtrihet përtej marrëveshjeve në sektorin ushtarak.

Gjatë viteve të fundit, 4iG është zgjeruar ndjeshëm në sektorët e telekomunikacionit, teknologjisë së informacionit dhe zhvillimeve satelitore. Kompania ka përfituar gjithashtu kredi shtetërore dhe kontrata me vlerë të konsiderueshme, ndërsa shteti hungarez ka marrë drejtpërdrejt pjesë në disa prej aktiviteteve të saj.

Ministri: Duhet të dihet ku shkojnë paratë publike

Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Zoltán Tanács, ka njoftuar se shqyrtimi përkatës ka nisur. Ai është përgjegjës për pjesën që lidhet kryesisht me kontratat në sektorët e hapësirës dhe teknologjisë së informacionit.

Tanács ka theksuar se 4iG është shndërruar vitet e fundit në një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë dhe teknologjikë të shtetit hungarez.

Për këtë arsye, sipas tij, është në interesin publik të përcaktohet qartë se cilat kontrata janë lidhur, sa u kushtojnë ato taksapaguesve, çfarë ka marrë shteti në këmbim dhe nëse këto marrëveshje i shërbejnë interesit të Hungarisë.

Ai ka bërë të ditur se rezultatet e shqyrtimeve do të publikohen pasi ato të përfundojnë, duke theksuar se përdorimi i parave publike nuk mund të konsiderohet çështje private dhe se shteti duhet të kujdeset që ato të administrohen me përgjegjshmëri.

4iG është grupi që kontrollon One Albania, një prej dy operatorëve kryesorë të telefonisë celulare në Shqipëri.



Burimi Monitor.al