Pse disa biznese fitojnë më shumë se të tjerat

Fitimi është arsyeja apo qëllimi pse një ndërmarrje ekonomike ekziston. Për bizneset shqiptare viti 2018 nuk solli asnjë ndryshim për sa i përket fitimeve. Për një pjesë të tyre, ato u bënë më të mundimshme për tu realizuar. Ndër arsyet kryesore “të mundit” për të realizuar fitime, aktorët e tregut listojnë: rritjen e konkurrencës, zhvlerësimin e euros për eksportuesit, informalitetin dhe konkurrencën e pandershme, rritjen e taksave apo edhe ndryshimin në strukturimin e ekonomisë. Aty ku leku “fitohet” më lehtë, aktorët nuk përjashtojnë as mundësinë e pastrimit të parave.

Për të gjithë prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve në Shqipëri, norma e fitimit ishte 8% në 2018-n, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin e mëparshëm. Një ndërmarrje për çdo 100 lekë shitje, realizon një fitim prej 8 lekësh. Megjithatë prej vitit 2013, normat më të larta të fitimit janë realizuar gjatë 2015-s dhe 2016-s, me një pikë përqindje më të lartë, ndërsa më të ulët gjatë periudhës 2013-2014.Norma e fitimit për prodhuesit e të mirave në vitin 2018 arriti në 11%, rreth 3 pikë përqindje më shumë krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, prodhuesit e shërbimeve ulën normën e fitimit për të dytin vit radhazi, në 7%.

Ndarë sipas sektorëve ekonomike, ku INSTAT i grupon në 10 grupe të mëdha, për vitin 2018, normat më të larta i kishte industria nxjerrëse dhe energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve me përkatësisht 14 dhe 13%. Gjithashtu të dy këto sektorë reflektuan rritjen më të lartë në krahasim me një vit më parë. Për sektorin e energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, normat më të larta u nxiten prej energjisë dhe gazit, me një nivel prej 15% në 2018-n. Ky vit ishte i mbarë për prodhuesit e energjisë për shkak të motit të mbarë me reshje.

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimore, uli normën e fitimit nga 17% në 2013-n në 7% në vitin 2018.
Kurse tregtia, ku përfshihen aktivitetet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, realizoi një normë fitimi prej vetëm 6%, më i ulëti sipas sektorëve për 2018-n.

Të tjera aktivitete me një normë fitimi dyshifror janë: Arsimi me 11%, tregtia dhe riparimi i automjeteve me 11%, tekstilet dhe veshjet me një normë prej 10%, aktivitetet në sektorin e transportit me 10%.
Sektori i shërbimeve realizoi një normë fitimi prej 12%, por aktivitetet me normën më të lartë ishin shërbimet e informacionit dhe shërbimet profesionale me një normë prej përkatësisht 17 dhe 16%.

Patundshmëria, ku “fitohet” paraja më lehtë

Bizneset me aktivitet në fushën e pasurive të paluajtshme, bazuar në të dhënat e INSTAT mbi të ardhurat nga shitjet dhe fitimi, raportuan një normë fitimi prej 19%. Thuajse një e pesta e të ardhurave që ato kanë realizuar nga aktiviteti ka përbërë fitimin e tyre.

Vitet e fundit numri i bizneseve që operojnë në këtë fushë ka pësuar rritje të ndjeshme dhe sipas operatorëve më të mëdhenj në vend kjo ka ndodhur për shkak të barrierave të ulëta për hyrësit e rinj. Po ashtu edhe barrierat ligjore, pasi për të hapur një agjenci nuk kërkohet licencë.

Fitime të qëndrueshme për ndërtimin

Sektori i ndërtimeve prej vitesh ruan një normë fitimi që luhatet nga 10-12%, të paktën që prej viti 2013 nuk ka pasur ndryshime të mëdha për kompanitë, që operojnë në këtë sektor. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2018 norma e fitimit për bizneset me aktivitet në fushën e ndërtimit ishte 11%, me një rritje prej 1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë.

Ndërtimi është një tjetër sektor me peshë në ekonominë shqiptare, ku vetëm në 2018-n përgjigjej për mbi 45 mijë të punësuar dhe rreth 3,600 ndërmarrje aktive në vend. Prej 2013-s, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorin e ndërtimit ishte më i lartë në 2015-n me 3,827 subjekte. Ndryshe ka ndodhur me numrin e të punësuarve, i cili prej 2013-s është rritur me 34%, duke reflektuar njëkohësisht formalizmin me deklarimin e të punësuarve, por edhe zgjerimin e kompanive. Në 2018-n numri i ndërmarrjeve u rrit, pas dy vitesh që pësonte rënie.

Vitet e fundit, sektori i ndërtimit, veçanërisht i segmentit të ndërtimit të objekteve rezidenciale, ka qenë në lulëzim. Me rikthimin e lejeve të ndërtimit pas vitit 2015-s, sektori rriti aktivitetin, veçanërisht në Tiranë. Megjithatë ndërtuesit shprehen se operojnë me taksa të larta, të cilat janë reflektuar në çmimet e apartamenteve në Tiranë. Fillimisht ishte taksa e infrastrukturës, e cila nga 4% e kostove të ndërtimit u bë 8% e çmimit të shitjes, për më tepër duhen paguar në fillim të nisjes së projektit

Më e vështirë të fitosh për fasonët

Në krahasim me vitin 2013 realizimi i fitimeve u bë më i vështirë në disa sektorë dhe aktivitete të ekonomisë. Një prej tyre ishte edhe sektori i tekstileve dhe veshjeve. Bizneset qe operojnë në këtë sektor panë një rënie të normave të fitimit me 5 pikë përqindje. Në 2013 një kompani me ketë fushë aktivitet priste që për çdo 100 lekë të ardhura, të merrte 15 lekë, sot merr 10. Edhe bizneset që operojnë në sektorin e lëkurës dhe këpucëve kanë pakësuar normat e tyre të fitimit. Në 2018 ata realizuan një normë fitimi prej 7%.

Sektori fason ka një kontribut të madh në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT vetëm sektori i tekstileve dhe veshjeve kishte mesatarisht gjatë vitit 29,789 të punësuar, apo rreth 5% më shumë se një vit më parë. Që prej 2013-s, numri i të punësuarve është rritur me gati 80%, ndërsa norma e rritjes së numrit të ndërmarrjeve aktive ka qenë vetëm 20%, çka do të thotë se ka pasur një zgjerim dhe formalizim të sektorit në këtë periudhë. Megjithatë ky zgjerim, edhe për arsyet e sipërpërmendura, nuk është reflektuar njësoj tek normat e fitimit të kompanive tekstile.

Po ashtu edhe në sektorin e lëkurës dhe këpucëve vitet e fundit ka pasur rritje të të punësuarve dhe kompanive aktive. Sipas të dhënave të INSTAT në 2018-n ishin 25,656 të punësuar dhe 240 ndërmarrje aktive. Numri i ndërmarrjeve që operonin u rrit me 44%, ndërsa i të punësuarve me 83% në krahasim me vitin 2013.

Ulen fitimet për restorante

Restoranteve duket se nuk iu ka ecur edhe aq mirë së fundmi. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se bizneset e shërbimit ushqimor kanë njohur rënie të normës së fitimit me 11 pikë përqindje. Duke analizuar të dhënat në vite, në vitin 2013 një biznes i shërbimit ushqimore kishte një normë fitimi prej 19%, pra rreth 1 e pesta e të ardhurave ishte fitim për biznesin.

Duket se konkurrenca e lartë në këtë sektor, me rritjen e numrit të restoranteve, ka ulur normat e fitimit në 8%. Në total në Shqipëri operojnë mbi 17,500 biznese që ofrojnë shërbime ushqimore. Numri i tyre ka shënuar rënie në raport me një vit më parë me 4%.

Megjithatë duhet thënë se numri tyre ka shënuar rritje prej 34% nga 2013-a, e cila reflekton një ashpërsim të konkurrencës çka ka sjellë edhe ulje të normat për bizneset që operojnë në sektor. Edhe sektori i shërbimit ushqimor është një prej kontribuuesve të mëdhenj në punësimin në vend. Vetëm për 2018-n numri i të punësuarve ishte mbi 47 mijë, me një rritje prej gati 60% në krahasim me një vit më parë.

Sa pak fitojnë hotelet

Bizneset me aktivitet akomodimin, ku përfshihen hotelet, bujtinat, etj, kishin një normë fitimi prej vetëm 2% në vitin 2018. Të dhënat historike nga INSTAT tregojnë se normat e fitimit kanë rënë edhe për njësitë akomoduese, ku krahasuar me vitin 2013 janë rreth 6 pikë përqindje më pak.

Në vitin 2018, ndërmarrjet që operonin me aktivitet në fushën e akomodimit patën një rritje dyshifrore prej 13.4%, duke arritur në një numër total prej 1459 strukturash. Krahasuar me vitin 2013 numri i tyre është dyfishuar.
Arsyet kryesore lidhen me rritjen e industrisë së turizmit, ushqyer edhe nga kërkesa e të huajve, por edhe nga formalizimi i sektorit nëpërmjet lehtësirave fiskale.

Të dhënat reflektojnë edhe rritje të numrit të të punësuarve në sektorin e akomodimit, ku vetëm për 2019-n ishin të punësuar mbi 9000 vetë, apo rreth 15% më shumë se një vit më parë. Megjithatë duket se bizneset që merren me akomodimin, pavarësisht lehtësirave fiskale, kanë norma të ulëta fitimi.

Menaxherët e tregut pohojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbi kapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit tha në një intervistë të mëparshme për Monitor se në Tiranë ka një treg të mbingopur për shërbimet e hoteleve të mëdha me 4-5 yje.

Agjencitë e udhëtimit

Fitimet nuk kanë qenë aspak të lehta as për agjencitë e udhëtimeve, duke u rreshtuar ndër bizneset me normat më të ulëta të fitimit. Sipas përllogaritjeve të Monitor, për çdo 100 lekë shitje ato fitonin vetëm 4 lekë gjatë 2018-s.
Fitimet janë bërë të vështira për kompanitë edhe pse shqiptarët po udhëtojnë më shumë.
Sipas Marjen Ramës, përfaqësues i agjencisë Explorer Travel and Tours, agjencitë e udhëtimit kanë normat më të ulëta, pasi agjencia aplikon një tarifë shërbimi shumë modeste në krahasim me vlerën e biletës apo paketës së udhëtimit. Sipas tij, tarifa është fikse pavarësisht vlerës, e cila varion nga 3 euro për transaksionet b2b deri në 25-30 euro për transaksionet b2c.

Viti 2018 duket se nuk ka qenë aspak i mbarë për agjencitë e udhëtimit, numri i të cilave ra me rreth 10% në krahasim me një vit më parë. sipas të dhënave të INSTAT, në 2018 numëroheshin 923 biznese aktive nga mbi 1000 që ishin një vit më parë. Megjithatë në 2013 numri i tyre ishte vetëm 682 agjenci. Nga ana tjetër numri i të punësuarve ka shënuar vetëm rritje, madje edhe gjatë vitit 2018, i cili regjistroi pakësim të bizneseve me këtë fushë aktiviteti. Ky fakt reflekton se disa prej agjencive kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, ndërsa kanë dalë nga tregu ato më të voglat.

Radari.al