Punësimi pritet të rritet “kujdesshëm” – 0.9 % në vit, më pak se gjysma e mesatares së viteve të parapandemisë

Tregu i punës parashikohet të ketë zhvillime pozitive në tre vitet e ardhshme, por duke mos tejkaluar gjurmët e lëna nga pandemia COVID 19.  Qeveria programon që norma e papunësisë të zbresë gradualisht, duke u fiksuar në 8.5 për qind në vitin 2025, nga 11.4 për qind që pritet të mbyllet 2021-shi. Nga ana tjetër,  punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.9 për qind në vit gjatë viteve 2023–2025.

Në dokumentin markoekonomik fiskal të hartuar nga qeveria, thuhet se shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës. Megjithatë rritja e punësimit duket se programohet në nivele të kujdesshme, duke filluar me 1.3 për qind vitin e ardhshëm dhe më pas në rënie graduale në 0.8 për qind në 2024 dhe 0.5 për qind në 2025-sën.

Duke mos marrë në konsideratë vitet e pandemisë 2020-2021 që kanë sjellë luhatje të mëdha në tregun e punës, rritja vjetore e punësimit duket se është shumë më e ulët se sa në periudhën e parakrizës.  Sipas të dhënave zyrtare, punësimi është rritur në nivelin 6.1 për qind në 2016-ën dhe ka qendruar mesatarisht 2.4 përqind gjatë viteve 2017-2019.

Shifrat tregojnë se pritshmritë janë larg zhvillimeve të mëparshme në tregun e punës.  Ndërkaq, përgjatë periudhës afatmesme, pritet që shërbimet të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.