Punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe, 65 % të kryera

Në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës janë realizuar pjesa më e madhe e punimeve ndërsa zona përreth ka nisur të urbanizohet. Gjatë inspektimit të punimeve, zëvëndëskryeministrja e ministrja e Infrastrukturës evidentoi se për administratën publike do të ketë kredi të buta dhe kjo zonë përbën një mundësi të mirë strehimi

Në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës janë realizuar 65% e punimeve dhe është gati për të nisur puna për vendosjen e trarëve për urën, një prej veprave më të rëndësishme që janë pjesë e këtij projekti. Parashikimet janë që pjesa e mbetur e punimeve të përfundojë deri në muajin shtator të këtij viti. Kjo u bë e ditur gjatë inspektimit të punimeve nga zëvëndëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi. Në fjalën e saj, Balluku tha se përfundimi i këtij loti jo vetëm plotëson projektin e Unazës së Madhe, por i hap rrugë edhe zhvillimit urban të zonës që bashkon Kamzën dhe Tiranën. Efektet, kanë nisur të ndjehen që tani me miratimin e lejeve për ndërtesa shumëkatëshe, çka tregon interesin për këtë zonë.

Duhet të kemi parasysh se kjo është një zonë që do të zhvillohet në të ardhmen. Pra përveç shtëpive të ulëta që zona ka, parashikohet që të ketë zhvillim urbanistik, nga të gjitha planet që janë thënë. Edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranë janë duke menduar se si këto zona duhet të zhvillohen për të qenë zona akomoduese për familjet e reja” tha Balluku.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi tha se ecuria e punimeve në këtë lot të Unazës ka dhënë tashmë efektet, duke rritur vlerën e zonës.

Kanë filluar lejet e para për ndërtimet shumëkatëshe dhe efektet kanë filluar të ndjehen dhe e gjithë zona ka filluar të marrë vlerë. Dhe pse jemi në bashkinë Kamzë, në Paskuqan, jemi shumë afër Tiranës.  Dhe kjo arterie e re, lidhja që bëhet sot, krijon vijueshmëri të madhe të bashkisë Kamzë në kontekstin e urbanizimit dhe bashkimit me Tiranën” thë Berberi.

Zëvëndëskryeministrja evidentoi faktin se në ligjin e ri për strehimin social, parashikohet që edhe punonjësit e administratës publike të jenë pjesë e programeve të përfitimit të kredive të buta. Ndaj, duke qenë se kjo zonë do të zhvillohet në aspektin urban, paraqet një mundësi të mirë edhe për strehimin e punonjësve të sektorit publik që nuk e kanë ende një banesë të tyren.

Tashmë ne kemi kaluar një VKM që do të jetë funksionale për të gjitha ata punonjës të policisë, ushtrisë, shëndetësisë etj që do të kenë dëshirë që të aplikojnë për këto kredi. Këto janë zona që janë parashikuar për urbanizim. Kjo rrugë është një rrugë e kategorisë A” tha Balluku.