Qeveria miratoi këtë të mërkurë projekligjin lidhur me procesin e prokurimeve publike, i cili do të jetë tërësisht digjital. Sipas qeverisë, procedura e prokurimeve përmirëson kuadrin rregullator duke e përafruar me atë të Bashkimit Europian. Risi në këtë projektligj është kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit. Po ashtu, blerjet dhe ankandet do të bëhen duke përdorur teknologji të avancuar digjitale edhe inteligjencën artificiale. Tjetër risi është përllogaritja e vlerës limit të kontratës, studimi i tregut, hartimi i specifikimeve teknike tërësisht në mënyrë digjitale, duke ulur ndikimin e faktorit njerëzor në procesin e prokurimeve dhe duke e automatizuar këtë proces.
‘Një nga projektligjet do të ndikojë në të gjithë procedurën e prokurimeve në vendin tonë dhe padyshim ka për qëllim të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurorimit publik në Shqipëri duke e përafruar atë me kuadrin ligjor të prokurimit publik në BE dhe duke adresuar të gjitha gjetjet që kanë dalë gjatë procesit “Screening” në Bruksel. Ky projektligji synon dixhitalizimin e të gjithë sistemit të prokurimeve publike në Shqipëri duke pasur parasysh se tashmë, qeveria shqiptare ka dixhitalizuar pjesën më të madhe të shërbimeve. Përqasja jonë përsa i përket inovacionit dhe dixhitalizimit do të prekë edhe sektorin e prokurorimeve. Kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit, si dhe zhvillimin e sistemit dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik duke përdorur teknologji të avancuara dixhitale, por edhe inteligjencën artificiale që tashmë prej disa kohësh kemi filluar ta implementojmë”, u shpreh Balluku.