Qeveria ka vendosur të bëjë shpronësime të pronave që preken nga realizimi i projektit të rikonstruktimit të rrugës Pogradec-Tushemisht-Doganë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin e shpronësimeve që bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.
Pronarët që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 32 356 650 (tridhjetë e dy milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekësh.
Sipas VKM-së, pronarët kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë justifikues për likuidim pranë Bashkisë Pogradec, e cila e përcjell dokumentacionin zyrtarisht pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
Vendim për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “rikonstruksioni i rrugës Pogradec – Tushemisht – Doganë”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës Pogradec – Tushemisht – Doganë”.
- Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 32 356 650 (tridhjetë e dy milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekësh.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 32 356 650 (tridhjetë e dy milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.
- Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
- Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë justifikues për likuidim pranë Bashkisë Pogradec, e cila e përcjell dokumentacionin zyrtarisht pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin miraton listëpagesën përkatëse dhe e paraqet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e përcjell këtë dokumentacion pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila përfundon procedurat përkatëse të pagesës së shpërblimit për shkak të shpronësimit.
- Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit, për interes publik të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Pogradec dhe hedhja e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, kryhen pas aplikimit nga bashkia për shërbimin përkatës.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec për pasuritë e shpronësuara.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Pogradec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.