Qeveria zgjat gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave qeveria ka vendosur të zgjasë gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike. Sipas vendimit gjendja e emergjencës do të zgjasë deri më 30 qershor të vitit 2023.

Vendimi:

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “ç”, e 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”.

Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”.
Në pikën 6, pas fjalëve “… “OSHEE Group”, sh.a., …” shtohen “… FTL, sh.a., dhe ERE …”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU